Pas caktimit të masës së paraburgimit prej 40 ditësh, për Fjolla Morinën, mbrojtësi i saj, avokati Fanol Krasniqi ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë ka prodhuar pasiguri juridike për qytetarët e Kosovës në momentin kur e njëjta ka konstatuar se dokumentet e ofruara nga shteti kërkues janë të mjaftueshme që kjo lëndë të procedohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Një deklarim të tillë, avokati Krasniqi e ka bërë në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, të mërkurën, pas seancës dëgjimore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurës Morina.
Ai po ashtu ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka legjitimuar një vepër penale të shtetit kërkues në shtetin e Kosovës, ku sipas tij në shtetin e Kosovës nuk ekziston vepra penale për të cilën është proceduar nga MD-ja.
“Ne rend të parë, MD-ja e ka legjitimuar një vepër penale të shtetit kërkues në shtetin e Kosovës. Në shtetin e Kosovës nuk ekziston vepra penale për të cilën edhe ka kaluar nga MD-ja. Me këtë rast dhe me këtë veprim konsideroj dhe duke u bazuara në ligjin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar se ministria ka prodhuar një pasiguri juridike për qytetarët e Kosovës” tha avokati Krasniqi.
Ndryshe, në bazë të vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” avokati Krasniqi, në seancën dëgjimore ka deklaruar se nga prokuroria nuk kanë marrë përgjigje lidhur me kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës ë paraburgimit, se mbi cilin vendim është kërkuar paraburgimi për ekstradim nga kjo prokurori.
Tutje, Krasniqi ka thënë se kërkesa e prokurorisë është kërkesë selektive dhe e pa bazuar në ligjin për ekstradim dhe bashkëpunim ndërkombëtar, e që sipas tij në kërkesë përmendet se për të mbrojturën e tij ekziston dyshimi i bazuar se e njëjta ka kryer veprën penale “Trafikim me armë” dhe se po ashtu përmendet se ajo është arratis nga vendi i paraburgimit, dhe se sipas tij nëse kërkesa është mbështetur në nenin 278 që ka të bëjë me armë atëherë kjo kërkesë siç tha ai është e pabazuar.
Sipas, avokatit Krasniqi se kjo në ligjin për bashkëpunim ndërkombëtar në çështje penale dhe marrëveshje mes dy shteteve në mënyrë decidive në “neni 12” e sipas tij kjo dispozitë jep rrugë për të kundërshtar edhe dyshimin e bazuar pasi që sipas ligjit të Shqipërisë thuhet trafikim i armëve e jo trafikim i një arme.
Gjithashtu, ai ka thënë se për veprën e dytë me të cilën prokuroria pretendon që në legjislacionin e Kosovës kjo vepër penale dënohet, sipas tij është në kundërshtim me ligjin.
“Marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë për bashkëpunimin juridik ‘‘neni 6 pika 2, l”, ne rastin konkret vepra e dyte qe pretendon prokuroria që në Kosove është e dënueshme është në kundërshtim me ligjin, kjo vepër penale ka të bëjë për institucionet jo arrest shtëpie, arrest shtëpie- shtëpia private nuk institucion” tha avokati Krasniqi.
Tutje, sipas këtij vendimi thuhet se avokati Krasniqi ka deklaruar se “nuk mund te kërkosh paraburgim ne qoftëse nuk ke vendim te formës se prerë, këtë e thotë neni 12. Nuk mund te kërkosh paraburgim Për një vepër qe nuk është vepër penale ne Republikën e Kosovës”.
Në fund, avokati Krasniqi ka kërkuar nga gjykatësi, që të refuzohet kërkesa e paraburgimit dhe të caktohet cila do masë tjetër, pasi që sipas tij vajza e të pandehurës është me sëmundje dhe që për të duhet të kujdeset vet e pandehura.
Ndryshe, prokurorja Javorka Prilinçeviç ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit(për Ekstradim) kundër të pandehurës Morina, për shkak të dyshimit të bazuar se e njëjta ka kryer veprën penale “Trafikim me armë” nga neni 278 par 2 të KPRSH (Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautrizuar e armëve apo materialeve plasëse nga neni 364 të KPRK) dhe “Arratisja nga vendi i paraburgimit” nga neni 323 të KPRSH (Arratisja e personit të privuar nga liria nga neni 397 të KPRK-së).
Sipas prokurorisë, dokumentet e dorëzuara nga ana e policisë konkretisht nga urdhër arresti internacional janë të mjaftueshme që të pandehurës ti caktohet masa e paraburgimit.
Ndryshe, mbi dyshimin për trafikim më armë dhe arratisja nga vendi i paraburgimit, Fjolla Morinës i është caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditësh nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda.
Masa e paraburgimit do llogaritet prej momentit kur Morina është arrestuar me 17 korrik 2021.
Për këtë vendim e ka marrë të mërkurën gjyqtari i procedurës paraprake Agim Kuçi, në prezencën e prokurores Javorka Prilincevic, të pandehurës Fjolla Morina me mbrojtësit e saj, avokat Fehmije Gashi-Bytyqi dhe avokat Fanol Krasniqi si mbrojtës kryesor.
Fjolla Morina është e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri.
Morina ishte shpallur në kërkim më 21 prill 2021, një muaj pasi gjykata e Kukësit e dënoi me 6 vite burgim për “trafik të armëve dhe municionit”.
Arrestimi i Fjolla Morinës u bë në shtator të vitit të shkuar, në pikën e kalimit kufitar Morinë, ku këngëtares iu gjet një armë zjarri pistoletë tip “Zoraki” me 23 fishekë.
Ajo është justifikuar përballë oficerit të Krimeve se i ndërronte çantat e dorës shpeshherë dhe se nuk e dinte çfarë kishte brenda saj.
Bashkë me Morinën ishte arrestuar edhe biznesmeni Fisnik Syla, me të cilin këngëtarja ishte martuar gjatë kohës kur po kërkohej nga INTERPOL-i.