Avokati i Popullit, ka konfirmuar se ka nisur hetimet për abuzim apo shkelje eventuale të të drejtave të njeriut nga Zyra për Çështje të Komuniteteve, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.
Kjo pas ankesës së tetë organizatave jo-qeveritare nga kominiteti serb, lidhur me vendimin për ndarjen e mjeteve për organizatat joqeveritare dhe media nga Qeveria e Kosovës.
“Institucioni i Avokatit te Popullit konfirmon se ka hapur rast per hetime per çeshtjen ne fjalë”, kanë konfirmuar për Express nga zyra për media në Institucionin e Avokatit të Popullit.
Dyshimet për keqpërdorime në ndarjen e fondeve të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës për përkrahjen e komuniteteve, i pati ngritur në gusht këshilltarja e kryeministrit, Elizabeth Growing.
Gazeta Insajderi kishte raportuar më herët edhe për keqpërdorime në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Një sinjalizues që ishte pjesë e komisionit për vlerësimin e thirrjes publike për financimin e OJQ-ve në Ministrinë për Komunitete e kthim, nëpër një e-maili ka denoncuar keqpërdorim të fondeve publike thirrje. Janë deponuar po ashtu edhe 21 ankesa. Për çudi, për OJQ-të që u shpërblyen në këtë rast, Ministria e drejtuar nga Nenad Rashiq ka bërë të ditur vetëm përqindjen e përmbushjes së kërkesave, por jo edhe vlerën e parave qe kanë marrë.
Edhe Zyra Kombëtare e Auditimit gjeti shkelje po në këto fonde. Sipas Auditorit, gjatë vlerësimit të aplikacioneve për projektet e OJQ-ve në tri raste prej 71 mijë euro përfituesit nuk kishin përmbushur kriterin specifik lidhur me dëshminë se nuk janë në procedurë të shuarjes dhe çregjistrimit.
E po për mbështetje të Organizatave Joqeveritare në redaksinë e Insajderit ka denoncuar një sinjalizues, i cili ka ngritur dyshime për mënyrën se si u shpërndanë parat e arkës së shtetit nga Ministria për Kthim e Komunitete e drejtuar tash nga Nenad Rashiq.
“Ministri Rashiq ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë se si do të shpërblehen OJQ-të me një milion euro, sepse në listë ka OJQ që nuk do të kalojnë administrativisht, ka pasur OJQ që kanë aplikuar me gjysmën e dokumentacionit, unë jam dëshmitar personal dhe më vonë brenda natës. dorëzoi dokumentet”, thotë ky sinjalizues.
Në një përgjigje me shkrim për Insajderin, nga kjo Ministri kanë mohuar kategorikisht përfshirjen e e Ministrit Rashiq në këtë thirrje për mbështetje të OJQ-ve.
Thirrja ishte shpallur në maj të këtij viti, derisa rezultatet janë publikuar në fund të korrikut. Aty janë listuar 57 OJQ përfituese. Por, për çudi, në këtë njoftim publik nuk është shënuar se sa para ka marrë sejcila prej OJQ-ve përfitues. Në rubrikën e fundit janë shënuar vetëm përqindjet- sa secila prej tyre i ka përmbushur kërkesat me dokumentacion. Asnjëra prej tyre nuk del që i ka përmbushur 100 përqind të kritereve, por më ë shumta është 79 përqind, dhe më e pakta 51.80 përqind.