×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Avokati i Salih Mustafës ankohet se Specialja s’e mori parasysh dëshminë e deputetit Humolli

    Insajderi
    09 May 2023 - 16:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dëshmia e deputetit të pavarur të Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humollit, nuk u mor parasysh nga shkalla e parë e Gjykatës Speciale kur u mor vendimit për dënimin e Salih Mustafës, sipas avokatit të këtij të fundit, Julius Von Bone. Kështu thuhet në ankesën e mbrojtjes së Mustafës drejtuar Gjykatës së Apelit, e cila nëpërmjet 446 pikave e kundërshton vendimin për dënimin e “Calit” me 26 vite burgim.

    Sipas ankesës së mbrojtjes së Mustafës, të cilën e ka parë Gazeta Insajderi, paneli që vendosi për dënimin e Mustafës e neglizhoi dëshminë e Humollit, i cili kishte thënë se kishte vizituar familjen e tij në Zllash gjatë 1999-ës, e cila shkoi për strehim atje.

    “TP-ja [trupi gjykues] e vlerësoi dëshminë e dëshmitarit Humolli si jo të besueshme, ani pse dëshmitari vizitoi familjarët e tij që kishin kërkuar strehim atje. Me të njëjtin arsyetim, TP-ja nuk e mori parasysh dëshminë e tij ku deklaroi se BIA nuk kishte mandat të arrestonte askënd duke iu referuar edhe një herë dëshmitarëve të tjerë të ZPS-së [Zyrës së Prokurorit të Specializuar]”, thuhet ndër të tjera në ankesën e përfaqësuesit ligjor të ish-komandantit të UÇK-së.

    Von Bone e vlerëson si kyç dëshminë e Humollit, pasi sipas tij, ai ishte në mesin e pesë dëshmitarëve okularë që panë kompleksin në Zllash.

    “Në të vërtetë, z. Humolli ishte në mesin e pesë dëshmitarëve okularë me njohuri për kompleksin, vizioni i të cilit nuk ishte i dëmtuar në asnjë mënyrë duke qenë në gjendje të bënte një përshkrim të plotë më të saktë të vendndodhjes”, vijon pos tjerash ankesa.

    Humolli përgjatë kohës sa kishte dhënë dëshminë e tij, në shkurt të vitit të kaluar, deklaroi se nuk ka dëgjuar se Salih Mustafa ka kryer ndonjë krim gjatë ose pas kohës së luftës.

    “Nga eprorët dhe ushtarët që i kam njohur atëherë që i kam takuar asnjëherë nuk kam dëgju”, kishte deklaruar Humolli.

    I njëjti pati mohuar se BIA ka pasur mandat për arrestimin dhe ndalimin e personave të caktuar.

    Para disa ditësh, Gjykata e Apelit e pranoi pjesërisht kërkesën e ZPS-së dhe Kolegjit të Viktimave për zgjatje të afatit për kundërpërgjigje ndaj ankesës së mbrojtjes së Mustafës. Ata kanë kohë t’i kundërpërgjigjen ankesës deri më 5 qershor të këtij viti.

    Ish-komandanti i UÇK-së në dhjetor të vitit të kaluar u dënua nga shkalla e parë e Gjykatës Speciale me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

    Këto krime është thënë se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

    Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020.

    Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes. /Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark