Një aksion i suksesshëm i antidrogës në fshatin Meje të Gjakovës ka çuar në pranga Simon Pnishin. Policia ka sekuestruar rreth gjysmë kilogrami kokainë, armë spanjolle dhe makina të tipit Golf 7 e 8.
Prokuroria Themelore në Gjakovë në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit insiston se Pnishi është recidivist. Megjithatë, një gjë të tillë e ka mohuar avokati i tij, Prek Kola. Ky i fundit në një prononcim nga Gazeta Insajderi ka thënë se nuk ekziston asnjë aktgjykim i formës së prerë se Pnishi ësthë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve
“Sa i përket pretendimeve të Prokurorisë se Simon Pnishi është recidivist, kjo nuk është e vërtetë, pasi nuk ekziston asnjë aktgjykim penal i formës së prerë që ai të jetë dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve. Po ashtu, para 2–3 javësh kemi nxjerrë certifikatën e gjendjes/ të kaluarës kriminale, e cila vërteton se ai nuk ka asnjë vepër penale të evidentuar”, deklaroi Kola për Insajderin.
Kola edhe në seancën dëgjimore për klientin e tij ka insistuar që prokuroria s’ka plotësuar kushtet ligjore që të kërkohet paraburgimi.
“Të njëjtit i dihet vendbanimi dhe adresa e tij e saktë dhe prokuroria nuk ofron asnjë provë se si mund ti shmanget procedurës, ku mund të shkoj, dhe nëse e ka bërë ndonjëherë një veprim të tillë. Po ashtu sa i përket kushtit tjetër, ndikimit në dëshmitarë, prokuroria në kërkesë të saj nuk e përmend asnjë emër të dëshmitarit se kush janë dhe cka kanë për të deklaruar, po ashtu ndikimi në prova materiale, kjo nuk qëndron për faktin se tani këto prova janë siguruar nga prokuroria dhe gjinden në vende të sigurta dhe i mbrojturi im nuk ka asnjë mundësi të ndikoj në këto prova, po ashtu sa i përket peshës së veprës penale kjo mbetet të vërtetohet se a ekziston ky dyshim i bazuar për të cilin tani ngarkohet i mbrojturi im për shitje, apo posedim, në procedurë të mëtejme hetimore”, ka thënë ai në seancën dëgjimore. /Insajderi.org/