Avokati: Qendrat Korrektuese s’kanë mundësi të kontrollave për sëmundje ngjitëse - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Avokati: Qendrat Korrektuese s’kanë mundësi të kontrollave për sëmundje ngjitëse

    Insajderi
    21 December 2016 - 11:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Avokati i Popullit ua ka përcjellë autoriteteve përgjegjëse Raportin nga vizita më 7 dhe 19 tetor 2016 në Qendrën Korrektuese për Femra dhe të Mitur në Lipjan, e realizuar nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) i Avokatit të Popullit.

    Qendra Korrektuese në Lipjan për Femra dhe të Mitur është institucion i tipit gjysmë të hapur i vetmi në Republikën e Kosovës ku janë të vendosur disa kategori të burgosurve si: të miturit me masë edukative, të miturit e dënuar dhe të paraburgosur si dhe femrat e dënuara, të paraburgosura dhe të mitura.

    Raporti rikujton se që nga korriku i vitit 2013, përgjegjësia për kujdesin shëndetësorë në Shërbimin Korrektues u transferua nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe thekson se Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës në raportin për vizitën në Kosovë në vitin 2015 ka theksuar rëndësinë esenciale që kanë kontrollet mjekësore, sidomos në rastet e të burgosurve apo të paraburgosurve të sapo-pranuar, jo vetëm për identifikimin e sëmundjeve infektive dhe parandalimin e vetëvrasjeve, por edhe nëpërmjet kontributit i cili jepet në aspektin e parandalimit të torturës përmes evidentimit të duhur të lëndimeve.

    MKPT konstaton se Qendra Korrektuese dhe qendrat tjera ku mbahen të paraburgosurit dhe të dënuarit, ende nuk kanë mundësi të bëjnë kontrolle sistematike për tuberkulozë dhe sëmundje transmetuese të dëmshme, siç janë: TBC, HBS, HCV dhe HIV, prandaj inkurajon autoritet relevante të ndërmarrin hapa për kontrolle gjithëpërfshirëse mjekësore dhe që në regjistra të futen më shumë hollësi lidhur me shkaqet e lëndimeve trupore dhe vetëlëndimeve, përfshirë edhe fotografitë së bashku me datën e ngjarjes. Po ashtu, MKPT inkurajon për mos prezencë të zyrtarëve të sigurisë gjatë dhënies së shërbimeve mjekësore, ashtu që, shërbimet mjekësore të ofrohen jashtë vëzhgimit dhe dëgjimit të zyrtarëve korrektues për të ruajtur konfidencialitetin dhe raportin mjek-pacient, përveç në raste specifike.

    Gjatë vizitës, MKPT thotë se ka vërejtur se ekziston një atmosferë e tensionuar ndërmjet të miturve dhe zyrtarëve korrektues dhe ndërmjet vetë të miturve dhe  e ka njoftuar drejtorin e Qendrës Korrektuese në Lipjan lidhur me këtë dhe ka kërkuar që të njoftohet me rezultatin e hetimeve.

    Raporti i ri sjell në vëmendje se Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës, lidhur me dhunën ndërmjet të burgosurve ka theksuar përgjegjësinë e shtetit për t’i mbrojtur të burgosurit nga të burgosurit tjerë të cilët synojnë t’i dëmtojnë ata, si dhe thekson adresimin e çështjes së dhunës ndërmjet të burgosurve  dhe kërkon që personeli i burgut të jenë të trajnuar mirë për të intervenuar dhe menaxhuar situata të tilla. MKPT konstaton se ndërmarrja e veprimeve adekuate dhe zbatimi i më shumë programe profesionale psiko-sociale, do të ndihmonin në uljen e tensioneve dhe dhunës ndërmjet të miturve dhe duhet të jetë prioritet për autoritet relevante.

    MKPT nuk ka pranuar asnjë ankesë nga femrat e dënuara, të paraburgosura dhe të mitura të cilat akomodohen në këtë qendër për keqtrajtim apo përdorim të forcës së tepruar.

    MKPT inkurajon autoritet përgjegjëse që të investojnë në përmirësimin e kushteve të akomodimit të të miturve. Po ashtu në Raport janë përfshirë edhe të gjeturat tjera sa i përket transferimit të të miturve në qendrën e re korrektuese, ushqimit, shkollimit dhe trajnimeve profesionale për personat që mbahen në këtë Qendër, angazhimit të tyre jashtë qelisë, disponueshmërisë së shtypit, aparateve televizive dhe literaturës.

    Gjatë vizitës, MKPT nuk ka pranuar asnjë ankesë nga të miturit lidhur me të drejtën të vizitohen dhe as sa i përket të drejtës së thirrjeve telefonike.

    Sa i përket procedurave të pranimit, Qendra Korrektuese në Lipjan mban një regjistër me të dhëna të shumta lidhur me të dënuarin apo të paraburgosurin, që akomodohet në këtë qendër.

    MKPT ka vërejtur se drejtoria e Qendrës Korrektuese në Lipjan ofron mundësinë adekuate për parashtrim të ankesave dhe kërkesave, i shqyrton ato dhe u dërgon përgjigje të akomoduarve në këtë qendër.

    MKPT pohon se gjatë vizitës personeli i shërbimit korrektues dhe personeli i Departamentit Shëndetësor të Burgjeve kanë treguar bashkëpunim të plotë, duke ofruar informatat e nevojshme  dhe duke mundësuar bisedat me personat e dënuar dhe të paraburgosur pa prezencë të zyrtarëve korrektues ose personelit tjetër.

    MKPT i Avokatit të Popullit përmes këtij Raporti i ka adresuar rekomandimet përkatëse tek Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë

    Raporti nga vizita në Qendrën Korrektuese për femra dhe të mitur në Lipjan në formën e tij të plotë, gjendet i hapur për publikun në ëeb faqen zyrtare të IAP-së, si dhe u shpërndahet mediave./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark