×
  • Lajme
  • Lajme

    Avokatja e përmbaruesi arrestohen nga Prokuroria në Prishtinë, dyshohet se morën 25 mijë euro ryshfet në emër të Gjykatës

    Insajderi
    02 December 2024 - 16:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka arrestuar avokaten Shemsije Sheholli dhe përmbaruesin privat, Isak Islami, pasi të dy po dyshohen se kanë marrë 25 mijë euro ryshfet në emër të Gjykatës.

    “Pas një pune disa mujore të Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës lidhur me hetimin e rastit të publikuar në media, ku dyshohet se kërkohen shuma prej 25 mijë euro në emër të anëtarëve të trupit të Gjykatës se Apelit lidhur më lëndën e të dëmtuarit B.S. Sot me datë 02.12.2024 si rezultat i punës hetimore janë ndaluar Sh.Sh dhe I.I”, thuhet në komunikatë.

    Siç njofton Prokuroria, Sheholli dhe Islami janë ndaluar për shkak të veprave penale “Ushtrim i ndikimit” nga neni 424, par.1 të KPRK-së dhe veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga nenin 414, par.1 të KPRK-së.

    Këtë hetim e ka udhëhequr Shefi i Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë në Prishtinë, Bashkim Zeqaj.

    Para disa ditëve, Komisioni Disiplinor për përmbaruesit privatë në kudër të Ministrisë së Drejtësisë kishte marrë vendim, me të cilin ia ndalon për 7 muaj ushtrimin e profesionit përmbaruesit privat, Isak Islami, pasi ka gjetur shkelje në rastin kur kishte lëshuar urdhër përmbarimor, duke ia tërhequr palës Besim Sopi 25 mijë euro nga llogaria bankare.

    Muaj më parë, ishte raportuar në media se avokatja Shemsije Sheholli, dyshohet se i kishte kërkuar klientit të saj 25 mijë euro ryshfet në emër të tre anëtarëve të Kolegjit gjykues të Apelit.

    Madje ishte publikuar edhe një audio-incizim i një takimi mes Besim Sopi dhe avokates Shemsije Sheholli, i cili pretendohet të jetë bërë më 15 gusht 2023, pra, afër një muaj pasi Gjykata e Apelit kishte vendosur për lëndën e Besim Sopit më 25 korrik 2024.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark