×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    AVONET: Komuna e Ferizajt po i shërben verbërisht “mafisë së betonit”

    Insajderi
    16 April 2024 - 19:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Rrjeti i Organizatave Jo-Qeveritare AVONET ka thënë se shprehet e shqetësuar lidhur me veprimet e kundërligjshme të Drejtorisë së Urbanizmit, në lidhje me zbatimin e vendimeve gjyqësore, konkretisht Aktvendimin A.nr.1365/23 të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Aktvendimin AA.nr.855/23 Gjykatës së Apelit. Këto vendime kanë bërë shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të lejes ndërtimore në rrugën Gëzim Sahiti, në Ferizaj.

    “Këto veprime të kundërligjshme janë duke u bërë në një amulli totale të krijuar nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit në Komunën e Ferizajt. Për AVONET kjo amulli e krijuar është manifestim i paditurisë ose kapjes së Komunës së Ferizajt nga mafia e betonit”, thuhet në njoftim.

    “AVONET ka parashtruar kërkesa për qasje në dokumente publike në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku ka kërkuar sqarime në lidhje me rastin e krijuar nga zyrtarët e Komunës së Ferizajt. Nga këto institucione kemi pranuar informacione zyrtare se vendimi gjyqësor në lidhje me rastin në fjalë ende nuk është ekspedituar (dërguar) në gjykatën e shkallës së I-rë gjegjësisht Gjykata Themelore në Prishtinë nuk e ka pranuar ende këtë vendim gjyqësor”, vijon njoftimi.

    “Nga përgjigjjet e Komunës së Ferizajt shohim se zyrtarisht organet komunale nuk kanë marr asnjë veprim, në drejtim të fillimit të punimeve në objektin banesor në rrugën Gëzim Sahiti. Kurse nga gjendja faktike në terren shohim se punimet zhvillohen pa u penguar fare, madje punëkryerësit deklarohen se kanë leje pune nga Komuna e Ferizajt. Për këtë kemi njoftuar edhe organet e rendit siç është Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe Policia e Kosovës, por deri më tani nuk kemi parë asnjë veprim nga organet në fjalë. AVONET vlerson se me këtë mosveprim po rrezikohet rëndë siguria juridike e qytetarëve”.

    “Andaj përmes kësaj deklarate informojmë opinionin publik që AVONET vazhdimisht po punon drejt interesit publik porse jemi duke hasur në një rezistencë të paprecedentë të mospërgjegjësisë ligjore, në mos veprim të Prokurorisë dhe Komunës së Ferizajt ndaj shkeljeve flagrante të ligjeve”, përfundon njoftimi. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark