×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Bac, të kanë ba bozë

    Insajderi
    06 March 2017 - 20:38

    Bozë f. – Pije freskuese, që bëhet me miell meli ose misri të thartuar me brumë buke dhe që ka shije majhoshe; sasia e kësaj pijeje sa nxë një gotë. Bozë e ftohtë. Bozë meli (misri). Një gotë bozë. Ngjyrë boze. Pinë nga një bozë.

                   U bë bozë

    1. a) e humbi vlerën e rëndësinë, i doli boja nga tepria a nga përsëritja e shpeshtë, u bë diçka e mërzitshme;
    2. b) i ra çmimi, u lirua. Iu bë gjaku (zemra) bozë u shqetësua shumë, iu prish gjaku, iu bë gjaku ujë. M’u bë koka (mendja) bozë (dhallë, çorbë, përshesh, lëmsh, tym).

     Asnjë fjalë tjetër përpos “bozë” nuk i rri më mirë epitetit që ky shtet i ka dhënë heroit Adem Jashari, familjes së tij të vrarë dhe familjes së tij të gjallë.

    Mund të duket pak e vrazhdë që akti i dhënies së jetës për të mirën e përgjithshme të cilësohet me një pije e cila mbi të gjitha është një “pije e varfërisë”, nëse marrim shembull përbërjen e saj (miell dhe ujë) por edhe për faktin sesi kjo pije përdoret për të përshkruar diçka kur i humbet vlera.

    Por në fakt është një e vërtetë e madhe se familjen Jashari e kanë bërë bozë.

    Njashtu sikurse dilema e origjinës së kësaj pije që ndryshon prej të dhënave arkeologjike që pretendojnë se  “boza daton qysh në vitin 400 Para Krishtit” e deri tek e dhëna se një Haxhi Sadiku prodhoi për herë të parë bozë në Stambollin e vitit 1876, edhe dilema rreth “origjinës së lidhjeve me familjen Jashari” endet mes shumë rrëfimeve të cilat ngjajnë në mitet për pijen, ani pse dallimi kohor mes “bozës” dhe “Jasharjave” është jashtëzakonisht i madh.

    Boza si pije është rezultat i një fermentimi të kujdesshëm, por e kundërta ka ndodhur me procesin e bërjes bozë të familjes Jashari.

    Qe 17 vite prej rënies heroike të familjes që sublimoi lirinë me sakrificën e tyre më të madhe, jetën, një seri e politikanëve të cilët qëlluan të jenë edhe bashkëluftëtarë të figurave qendrore të familjes saktësisht komandantit Adem Jasharit dhe vëllait të tij Hamzës, matrapazët e jetës publike e deri tek hoxhallarët, kanë kontribuar në dhënien e epitetit më të njohur në gjuhën e popullit: e kanë bo bozë.

    Vetëm shikoni paraqitjen patetike të hoxhës Mulla Osmani teksa çdo vit përsëritë të njëjtin rrëfim, madje edhe me emocione të njëjta, shpeshherë duke shpërthyer në lot, sikurse të hënën pasdite në një emision të Klan Kosovës.

    Rrëfimet e të gjithëve, prej Hashim Thaçit deri tek ato ish-luftëtarëve në pushtet dhe jashtë tij, kanë një formë të përbashkët të tregimit.

    Por pikërisht këtu qëndron krejt brumi i bërjes bozë. Të gjithë kanë përdorur të njejtën gjuhë, normalisht lartësuese dhe hyjnore për familjen e vrarë të Jasharjve që zakonisht thuhen paturpësisht ose para varrezave në Prekaz ose tek oda në krye të cilës qëndron zakonisht Rifat Jashari.

    Teksa boza si pije ka katër përbërës kryesorë: kokrra meli, miell misri ose gruri, sheqer, ferment (farë buke ose bozë e mëparshme) dhe ujë, mënyra sesi të gjithë pa përjashtim e kanë bërë bacin bozë, ka vetëm dy përbërës: shumë injorim dhe një ditë shenjtërim.

    Vetëm nëse e shikoni sjelljen e familjes së gjallë të Jasharajve ndaj të gjithëve kuptohet se ata janë të lodhur nga të ushqyerit me fjali hyjnore dhe më pas harresë e injorim. Mbi të gjitha janë lodhur duke qenë të përdorur gjatë tërë kohës saherë që dikujt i bie ndërmend ta përmend sakrificën e kësaj familje për hesap të vetin.

    Në një këndvështrim naiv ky gjest mund të kuptohet edhe si formë që familja e gjallë e Jasharajve thjeshtë është lodhur nga këto ceremoni të cilat përpos shumë vizitorëve të të gjitha kategorive, prej njerëzve në pushtet dhe hajnave ordiner të cilët pa dallim e përdorin një fotografi nga Prekazi për t’i dhënë vetës statusin e një patrioti, ose së paku të një personi që respekton e nderon patriotizmin.

    baci

    Nëse boza shqiptare dallon nga bozat e prodhuara në vendet tjera ngaqë përbërësi kryesor i saj është misri, kurse në Turqi, Bullgari e Maqedoni mund të jetë gruri, elbi, meli dhe qiqrat, fjalia që përdoret për të shenjtëruar këtë familje është e përbërë nga fjalë jashtëzakonisht boshe, patetike, të varfra, pra bozë.

    Kam ardhur në Prekaz për të marrë energji të reja”, është një nga fjalitë më të përdorura nga shumica e atyre që flasin në televizor pasi që vendosin ca lule të plastikës ose kurora të shtrenjta mbi varrezat e atyre që tashmë fatmirësisht nuk i dëgjojnë qysh prej momentit kur u vranë barbarisht në shtëpinë e tyre.

    Megjithatë është i majftueshëm fakti se të mbijetuarit e kësaj tragjedie, tashmë e kanë shprehur publikisht edhe në mënyrë figurative (përmes mbylljes së derës për drejtues të shtetit). Marri.

    Dhe tek në fund, boza si pije ka disa dobi për shëndetin siç janë normalizimi i tensionit të gjakut, rritja e prodhimit të qumështit tek gratë që kanë fëmijë në gji, si edhe ndihmon në tretjen e ushqimit, ama boza që e kanë bërë kjo kastë politike bashkë me një rreth të gjërë të njerëzve që quhen “personalitete të jetës publike” të cilësdo kategori që i përkasin, rrit tensionin në një shoqëri e cila ende as nuk ka filluar të ballafaqohet me atë çfarë ka ndodhur apo ulë “prodhimin e dashurisë për këtë vend”.

    Ju lërë që e keni bërë bozë, por e keni mbytur edhe dashurinë e njerëzve për këtë vend. Kjo është vrasje e shumëfishtë e familjes Jashari.

    Nëse në vitin 1998 Jasharajt u vranë fizikisht, vrasja e shumëfisht që po i bëhet në 17 vitet e fundit është  një vrasje dënimin për të cilin do ta paguajmë të gjithë ne, shumica pa faj. Madje shtrenjtë./Insajderi.com

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark