Pushtetari i famshëm, deputeti Mefail Bajqinovci, ka vazhduar ta mohojë raportimin e Gazetës Insajderi për avancimin e Sevime Kamberi-Bajqinovci, gruas së tij, në pozitën e kryeinfermieres.
Ai kësaj radhe ka zgjedhur studio televizive që të synojë të bind opinionin publik se nuk ka pasur avancim të bashkëshortes së tij, shkruan Gazeta Insajderi.
Bajqinovci për T7 ka thënë se pas shtatë viteve, është hapur një konkurs i brendshëm në repartin e Patologjisë në kuadër të Klinikës së Gjinekologjisë.
”Nuk është hera e parë që shpifin për mua, ka qenë shpifja e parë për vëllain tim në Kanada, pastaj është shpifja e dytë për gruan time kinse është avancu. Gruaja ime është infermiere para se unë ta njoh. Gruaja ime në vitin 2016 është avancuar në këtë pozicion ku është sot. Unë 2016 kam qenë gazetar. Gruaja ime i ka 24 vjet përvojë punë. Gruja ime që 7 vite është në këtë pozitë. Pasi i ka bërë 7 vjet e kanë hapur një konkurs të brendshëm dhe i është vazhduar”, deklaroi ai.
Bashkëshortja e tij është avancuar tashmë gjatë pushtetit të Vetëvendosjes nga ushtruese detyre në kryeinfermiere me mandat.
Avancimi i Sevime Kamberi-Bajqinovci ka ardhur përmes një konkursi të brendshëm për pozitën e Kryeinfermieres së Repartit të Patologjisë. Përzgjedhjen e saj në këtë pozitë e ka konfirmuar drejtori i Klinikë së Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrejaj.
Gazeta Insajderi kishte tentuar të merrte një përgjigje nga deputeti i VV’së Mefail Bajqinovci para se të publikonte artikullin, por ky i fundit nuk ka dashur të komentoj.
I njëjti, fillimisht ia ka hapur telefonin redaksisë duke kërkuar që pyetjet t’i përcjellën me shkrim. Pyetjet, janë dërguar, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka kthyer përgjigje. /Insajderi.org/