Shefja e Grupit Paralamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami ka komentuar deklaratat e ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha lidhur me përgjimet e publikura nga Gazeta Insajderi, bërë gjatë një interviste në KTV.
Sipas Bajramit ministrja Hoxha, gjatë kësaj interviste jo vetëm se është vënë në mbrojtje të klanit pronto, por ka ndërhyrë edhe në punët e drejtësisë.
Hoxha kishte thënë se personat e përfolur në përgjime “nuk i kanë marrë ato pozita”, që sipas Bajramit kjo është deklaratë skandaloze e ministres.
“Pra, përmes kësaj deklarate ajo e paragjykon se si duhet të përfundojë e tërë kjo çështje. Kjo është e pa pranueshme. Në një vend demokratik, një ministre e drejtësisë nuk do të guxonte të bëj deklarata të tilla, ose edhe po të guxonte, dorëheqja nga funksioni i ministres do të ishte e pashmangshme”, shkruan Bajrami në Facebook.
Bajrami tha se ministrja Hoxha përmes deklaratave të bërë mbrëm ka “nxjerr në shesh misionin e saj që e ka si ministre e drejtësisë, e që është ekskluzivisht mbrojtja e shefave të saj Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nga përgjegjësia që kanë për këtë aferë”.
“Në këtë pjesë ajo qartë vihet në mbrojtje të shefave të saj Thaçi dhe Veseli dhe bën me gisht kah, sipas saj, përgjegjësi i vetëm shefi i grupit parlamentar Adem Grabovci. Tani, a mund t’i besohet kësaj se do të jetë e pa anshme në ushtrimin e detyrës së saj si ministre drejtësisë? Sigurisht që jo!”, shkruan Bajrami.