Insajderi
Sport

Barcelona, alarm për borxhet pavarësisht startit fantastik

Insajderi
23 September 2026 - 10:02
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Barcelona, alarm për borxhet pavarësisht startit fantastik
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shtatë fitore në shtatë javët e para të La Ligës dhe një debutim bindës në Champions League nuk arrijnë t’i fshijnë problemet ekonomike të Barcelonës.

Në fushë, ekipi i Hansi Flickut e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, i udhëhequr edhe nga 12 golat e Raphinhas në La Liga.

Jashtë fushës, megjithatë, situata mbetet dukshëm më e komplikuar.

Sipas asaj që raporton “The Athletic”, Barcelona është autorizuar t’i marrë edhe 510 milionë euro borxh të ri.

Prej tyre, 300 milionë euro do të përdoren për ta vazhduar rikonstruktimin e stadiumit Camp Nou, ndërsa 210 milionë euro do të shkojnë për shpenzimet operative.

Me këtë financim, buxheti i përgjithshëm i projektit Espai Barça ka arritur në 1.8 miliardë euro, rreth tri herë më shumë se shuma e miratuar fillimisht në vitin 2014.

Vonesat në “Camp Nou” vazhdojnë t’i kushtojnë Barcelonës

Punimet, të nisura në maj të vitit 2023, kanë sjellë tashmë pasoja të rëndësishme në financat e klubit.

Pas dy sezoneve në stadiumin Montjuïc dhe rikthimit gradual në Camp Nou që nga nëntori i vitit 2025, Barcelona do të duhet ta lërë sërish stadiumin gjatë sezonit 2027/28, për t’ia mundësuar instalimin e çatisë.

Klubi vlerëson gjithashtu se vonesat kanë sjellë 17 milionë euro shpenzime operative shtesë dhe 24 milionë euro investime të tjera.

Borxhi mund t’i kalojë 2.6 miliardë euro

Sipas përllogaritjeve, në varësi të mënyrës së shlyerjes, borxhi i përgjithshëm i Barcelonës mund t’i kalojë 2.6 miliardë euro.

Vetëm gjatë sezonit 2025/26, klubi i ka paguar 91 milionë euro interesa, ndërsa kësti i parë prej 105 milionë eurosh i financimit të ri e ka një normë fikse interesi prej 5.14 për qind.

Në këtë situatë përfshihet edhe projekti i Palau Blaugrana, me një kosto prej 420 milionë eurosh, i cili ende nuk është financuar plotësisht.

Për më tepër, Barcelona i ka dhënë tashmë 25 për qind të të ardhurave të ardhshme televizive nga La Liga kompanisë “Sixth Street”.

Camp Nou pritet të rikthehet në kapacitetin e plotë prej 105 mijë spektatorësh vetëm në sezonin 2028/29.

Pavarësisht startit të shkëlqyer në fushë, çështja ekonomike mbetet njëra nga sfidat kryesore për Barcelonën, ndërsa klubi i vazhdon investimet dhe punimet për rikthimin e plotë në Camp Nou. 


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark