Barcelona e ka bërë Lautaro Martínez objektivin kryesor për përforcimin e sulmit dhe është e gatshme të bëjë gjithçka për ta transferuar sulmuesin e Interit në Camp Nou.
Sipas Gerard Romero, Lautaro tashmë ka dhënë dritën jeshile për një transferim te Barcelona, duke bërë që marrëveshja me lojtarin të jetë një hap më afër.
Barcelona e sheh argjentinasin si një alternativë të fortë për Julián Álvarez, transferimi i të cilit është komplikuar për shkak të qëndrimit të Atlético Madridit. Raportimet e ditëve të fundit konfirmojnë se klubi katalanas ka zhvilluar kontakte rreth mundësisë së transferimit të Lautaros.
Megjithatë, pengesa kryesore mbetet Interi, pasi Lautaro është një prej liderëve të skuadrës dhe vazhdon të jetë pjesë qendrore e projektit zikaltër.
Nëse Barcelona arrin ta konkretizojë këtë lëvizje, Lautaro do të ishte një tjetër goditje e madhe në merkato, pas transferimit të Rodrit.