
Barcelona vazhdon të punojë për një rifreskim strategjik të skuadrës dhe një nga pozicionet kryesore në fokus është portieri, ku objektivi i tyre lidhet edhe me Real Madridin.
Sipas faqes Semprebarca, drejtori sportiv i katalanasve, Deco, e ka identifikuar 23-vjeçarin Lucas Chevalier nga Lille si përforcimin ideal afatgjatë për klubin.
Francezi është tashmë portieri i parë i Lille dhe ka bërë 48 paraqitje këtë sezon. Barcelona e vlerëson shumë qetësinë, qëndrueshmërinë dhe pjekurinë e tij, dhe Deco beson se Chevalier është gati të ngjitet në nivelin më të lartë.
Megjithatë, katalanasit nuk janë të vetmit që po e monitorojnë talentin e ri – Real Madridi është gjithashtu i interesuar për transferimin, gjë që mund të shkaktojë një betejë për nënshkrimin e tij.
Situata e portierit te Barcelona është aktualisht e pasigurt. Ter Stegen është rikuperuar nga një dëmtim, por nuk ka treguar formë të qëndrueshme për një kohë të gjatë.
Wojciech Szczesny, i cili erdhi në mes të sezonit si zëvendësues, la një përshtypje të fortë, por kontrata e tij është ende e pa-firmosur. Dhe Inaki Pena , i cili luajti mirë në vjeshtë, duket se e ka humbur plotësisht besimin e Hansi Flick.
Kështu, e ardhmja e mundshme e Chevalier në Barcelonë varet drejtpërdrejt nga vendimet e marra në lidhje me Penan dhe Szczesnyn. Megjithatë, qëllimi i klubit është i qartë – të gjejë një “numër 1” të ri, të besueshëm dhe afatgjatë, dhe Chevalier i përshtatet këtij roli në mënyrë të përkryer.