×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Barra e bukurisë: Përse ekzistojnë akoma konkurset absurde të bukurisë?

    Insajderi
    24 January 2022 - 15:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkruan: Vaishna Roy

    Miss Universi i vitit të fundit është nga India, por pse ekzistojnë akoma konkurset e bukurisë?

    Përderisa e shikoja çastin e kurorëzimit të Miss Universe 2021, e vërejta që nuk mund të gjeja dallimin midis Miss Paraguaj dhe Miss India. Kamera lëvizte nga një fytyrë tek tjetra gjersa ato ishin kapur për dore si nxënëse të vogla në një simulim të një lidhjeje motërore, e sa për mua mund edhe të ishin binjake sepse aq dallim vëreja mes tyre. Dhe kjo, e thënë shkurt, është se çfarë është ky eveniment sot; ose mbase shkenca thjesht e ka bërë “njëllojshmërinë” edhe më të theksuar. Kam shikuar shumë pjesë të këtij evenimenti të pakuptimtë vjetor – dhe ka qenë e dhimbshme. Gra identike, me fytyra dhe trupa identikë, parakalonin me veshje të idejuara në mënyrë identike për t’u përshtatur me atë që Perëndimi ka vendosur se është “veshje e mbrëmjes” ose “veshje plazhi”.

    Në më të mirën e vet, ky eveniment është një klishe princeshe në versionin më limonadë të mundshëm, por kët vit sikur na ka servuar më shumë momente absurde se kurdoherë më parë. Kishim ironinë e çastit të kurorëzimit kur Harnaaz Sandhu e Indisë, e cila u zgjodh Miss Universe, plot pasion foli se si bukuria nuk ka rëndësi duke thënë: “Të flasim për gjëra më të rëndësishme që po ndodhin në botë..” duke harruar që po merrte pjesë në një eveniment në Izrael midis thirrjeve për bojkot dhe shqetësimeve globale për politikat e pamëshirshme të këtij shteti në lidhje me Palestinezët, një “gjë e rëndësishme” për të cilën nuk flisnin as pjesëmarrësit as organizatorët.

    “Dije që je e veçantë”, tha me emocion Harnaaz, “dhe ndalo së krahasuari veten me të tjerët”, përderisa ajo po luftonte të ngjitej në top 10-shen e një eventi që i vendos 80 gra në një betejë ku do të vendoset se cila është më e bukura.

    Gjersa gratë ecnin në një stil që nuk ngjan aspak me ecjen njerëzore, shumë prej tyre u penguan me takat jashtëzakonisht të larta në fundet e fustaneve të tyre të imponuar nga moda e fundit. Mbanin rekuizita qesharake në raundin e kostumeve kombëtare. Mjaullinin si mace. Buzëqeshnin pa kontrollë. Si çdoherë, gjithçka ishte një budallallëk i trishtë. Shumica e biografive të këtyre grave deklaronin se ato punojnë me fëmijë ose të rinj, ose në çështjet e grave – megjithatë dukej sikur asnjëra prej tyre nuk shihte diçka që nuk shkon me një eveniment që i detyron gratë t’i krahasojnë standardet paracaktuara të gjatësisë, peshës, proporcioneve, dhëmbëve, hundës, në mënyrë që të shpallen “të bukura”; një eveniment që padyshim vendos në plan të parë dhe shpërblen gratë për dukjen e tyre fizike.

    Përgjigjeja e zakonshme ndaj kritikave të këtilla është se këto gra kanë “zgjedhur” të marrin pjesë dhe se kjo u fuqizon ato. Në fakt, kur nipi i Nelson Mandelas bëri thirrje për bojkot, Miss Universe Iraku u përgjigj shumë ashpër. “Si guxon ti si burrë të përpiqesh t’i tregosh një një organizate për gratë dhe fuqizimin e grave se çfarë të bëjë”, pati thënë ajo, dhe e pati përshkruar evenimentin si një “mundësi” për miliona gra që ëndërrojnë të ngjiten në skenën botërore për ta përfqësuar shtetin e tyre.

    Por përdorimi i fjalëve “zgjedhje” dhe “fuqizim” në kontekst të një evenimenti që tregtohet dhe financohet në mënyrë masive dhe që mbështetet në mënyrë strategjike nga markat kryesore të kozmetikës dhe të modës, dhe që ekziston brenda një flluske gjigante konsumizmi të shfrenuar është, në rastin më të mirë, një farsë, e në rastin më të keq një tragjedi. Prekja e besimit në një botë krejtësisht fallco nuk e bën atë aspak të vërtetë, njëlloj sikur pozimi me fëmijë të varfër dhe viktima të dhunës në familje nuk e bën këtë konkurs një çështje të të drejtave të njeriut.

    Njeriu mendon se diçka aq kataklizmike si një pandemi globale do të na kishte shtyrë ta shohim botën më ndryshe. Ta rimendojmë modën dhe bukurinë. T’u japin grave fuqi të vërtetë, jo sipërfaqësore. Por si zakonisht, është çështje biznesi. Njëlloj sikurqë të famshmit mendojnë që veshja e të njëjtit fustan dy herë i bën ata luftëtar ekologjikë, Miss Universi me të njëjtën logjikë mendimi përpiqet ta shesë veten si mision për fuqizimin e grave ndërkohë që injoron dëmin e madh që i bëhet psiqikës femërore nga mitet e tilla të idealizuara të bukurisë.

    Në një nivel akoma më themelor – çfarë domethënie ka një konkurs bukurie në një botë ku veç një skalpel të ndan nga hunda perfekte apo ku lëkura e përkryer vjen në një shishe? Kur një skuadër e tërë punon për të krijuar një version përsosmërie në stilin e Galateas, ku përfundon realiteti e ku fillon iluzioni? Në fund, ne mbetemi duke “festuar” si bukuri femërore diçka që pak më shumë se një kukull e përsosur.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark