Insajderi
Lajme

Bastisja në Agjencinë Kadastrale, Prokuroria del me komunikatë

Insajderi
06 May 2026 - 12:19
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Bastisja në Agjencinë Kadastrale, Prokuroria del me komunikatë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se sot, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar aksion në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe në disa lokacione tjera, nën dyshimet për keqpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Sipas Prokurorisë, aksioni është kryer me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në kuadër të hetimeve për veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”.

Prokuroria ka bërë të ditur se të dyshuarit me inicialet A.Q. dhe N.K. dyshohet se kanë përdorur një dokument të falsifikuar të vitit 1966, të titulluar “Kontratë për këmbim të paluajtshmërive”, për të paraqitur rrejshëm një këmbim pronash dhe për të siguruar përfitim pasuror të kundërligjshëm.

“Përmes këtij dokumenti është paraqitur në mënyrë të rreme kinse ka ndodhur një këmbim pronash në vitin 1966, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror”, thuhet në komunikatë.

Sipas hetimeve, me ndihmën e zyrtarit A.B., dokumenti i dyshuar si i falsifikuar është paraqitur si autentik dhe është futur në arkivat e gjykatës, megjithëse, sipas Prokurorisë, “një dokument i tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë në evidencat zyrtare”.

Prokuroria dyshon se A.B., si person zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka krijuar dosje fiktive për të mundësuar legalizimin e dokumentit të falsifikuar.

Ndërkohë, dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, me inicialet B.Sh. dhe M.B., dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat duke aprovuar në mënyrë të kundërligjshme ankesën e N.K.-së dhe duke obliguar Komunën e Prishtinës ta regjistrojë pronën në emër të tij. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark