Autoritetet kosovare nuk e kanë njoftuar investitorin – Bashkimin Evropian për rezultatet e ekspertizës që konstaton se oksigjeni në Pallatin e Drejtësisë është 11 herë nën normal e lejuara.
Ekspertiza është kryer dy javë më parë me urdhër të Prokurorisë së Shtetit që po kryen hetime për lëshime të mundshme.
Zyra e BE-së në Prishtinë ka thënë se kanë bërë më herët matje të pavarura që konstatojnë se objekti është i pranueshëm teknikisht. BE-ja ka thënë se objekti është pranuar teknikisht edhe nga ekspertët e Komunës së Prishtinës.
“Në pajtim me ligjet ndërkombëtare të ndërtimit {rregullat FIDIC], ndërtimi i objektit të Pallatit të Drejtësisë është mbikëqyrur nga një kompani inxhinierike (Mbikëqyrësi), roli i së cilës ishte që të miratojë dizajnin në hollësi dhe të mbikëqyrë punët ndërtimore që kryheshin nga kontraktori”, ka thënë për Insajderin, zyra e BE-së në Prishtinë në një përgjigje me shkrim.
Sipas investitorit që ka mbi 25 milion euro, kontraktori dorëzoi Pallatin e Drejtësisë më 15 dhjetor 2014 pasi që punët ishin kompletuar dhe pas pranimit teknik të punëve nga inxhinierët, bazuar në “testimet e kompletimit”, përfshirë këtu edhe të indikatorëve si cilësia e ajrit brenda, që u bënë nga kontraktori.
Bartja e të lënduarve nga Pallati i Drejtësisë
Në të njëjtën kohë, siç edhe kërkohet me ligje të Kosovës, BE-ja ka thënë se është marrë leja e shfrytëzimit nga Komuna e Prishtinës, pas inspektimit teknik nga një ekip i ekspertëve të ndërtimit, që vërtetonin se Pallati i Drejtësisë është i sigurt për t’u përdorur, në pajtim të plotë me lejen e ndërtimit dhe kërkesat e rregullat e aplikueshme.
BE ka thënë se ka pasur një vit periudhë garancioni të punimeve, deri më 15 dhjetor 2015.
Por, gjatë kësaj periudhe të garantimit, mbikëqyrësi ka identifikuar një varg defektesh, ndër të tjera të ngrohjes, ventilimit dhe klimës, rezistencës ndaj ujit dhe e ka njoftuar kompaninë ndërtimore që t’i përmirësojë ato, sipas obligimeve të përcaktuara me kontratë.
Ka thënë se shfrytëzuesit e parë të Pallatit të Drejtësisë filluan që të hyjnë në shkurt 2015 dhe menjëherë filluan të ankohen për çështje të ndryshme, kryesisht për cilësinë e ajrit brenda, ngrohjen, ventilimin dhe klimën, ashensorët.
“Marrë parasysh ankesat që përsëriteshin, Zyra e BE-së i ka përcjellë së afërmi të gjitha këto çështje, por asnjë ankesë nuk mbështetej me të dhëna konkrete apo fakte prej hetimeve zyrtare”, ka deklaruar zyra e BE-së.
Sidoqoftë, Zyra e BE-së kishte iniciuar themelimin e një grupi punues që përbëhej nga Zyra e BE-së, Ministria e Administratës Publike, Mbikëqyrësi, EULEX-, kontraktori dhe përdoruesit e objektit që do të zgjidhte të gjitha çështjet e mbetura.
Kontraktorit i ishte kërkuar që të bënte testime shtesë për nivelet e ventilimit që do të tregonin për cilësinë e ajrit brenda. Rezultatet përkonin me parametrat e kërkuara. Në fund të periudhës së garancionit, Mbikëqyrësi erdhi në përfundim se defektet ishin përmirësuar nga kontraktori dhe i lëshoi atij Certifikatën e Performancës, që është përfundimtare.
“Përveç kësaj, Zyra e BE-së ka bërë një matje tjetër të pavarur të një varg vlerash [indikatorësh] për të hedhur poshtë ose konfirmuar rezultatet e Kontraktorit, e që nuk kanë vërtetuar defekte sa i përket cilësisë së ajrit”, ka thënë zyra e BE-së.
Meqë periudha e garancionit ka skaduar, BE-ja ka thënë se tani përgjegjësia për mirëmbajtjen dhe operimin e Pallatit të Drejtësisë i takon vetëm autoriteteve kompetente kosovare.
“Në rast se identifikohen defekte nga autoritetet kosovare, që do të mund të ishin të rrezikshme për shëndetin e njerëzve, Zyra e BE-së pret që ato do të ndërmarrin hapat e duhur për t’i përmirësuar ato”, ka thënë zyra e BE-së.
Ditë më parë Insajderi raportoi për konstatimet e kësaj ekspertize. Në këtë ekspertizë thuhet se ambienti brenda godinës që ka kushtuar mbi 25 milion euro, është i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve.
Gjykata Supreme dhe ajo Themelore kanë kërkuar që të hapen dritaret deri javën e ardhshme, ose do të bojkotojnë punën.