Beatrix Ramosaj flet për gjendjen e saj emocionale pasi i mbuluan posterin në Afganistan - Insajderi
×
  • Showbiz
  • Show

    Beatrix Ramosaj flet për gjendjen e saj emocionale pasi i mbuluan posterin në Afganistan

    Insajderi
    22 August 2021 - 13:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Posteri i Beatrix Ramosaj në një sallon bukurie në Kabul, u mbulua disa ditë më parë me bojë pasi talebanët morën pushtetin në Afganistan. Këngëtarja ka marrë mesazhe të shumta në rrjete sociale nga ndjekësit, të cilët e pyesin se si ndihet pas kësaj ngjarjeje.

    Beatrix shpjegoi çdo gjë me anë të një shkrimi të gjatë që bëri krahas fotove të posterit të publikuara në llogarinë e saj në Instagram dje.

    Shumë njerëz më kanë pyetur si ndihem për fshirjen e fotografisë sime nga vitrinat e Kabulit.

    Jam pa fjalë dhe ndihem jashtëzakonisht shumë keq, jo sepse është portreti im, aty mund të ishin me mijëra vajza të tjera shumë të bukura, por sepse mendoj për të gjitha ato gra dhe vajza që tashmë s’kanë më asnjë grimcë lirie dhe mundësi për të shprehur veten.

    Ndihem shumë keq, si artiste dhe si femër, pasi mendoj se roli jonë është akoma më i madh se i të krijuarit art, por edhe për të ngritur zërin për çështje të ndryshme, për të frymëzuar, për të dhuruar ëndrra dhe shpresa për më të vegjlit.

    Ndoshta për disa, ato fotografi janë thjesht fushata promocionale për të shitur fustane, por në një shoqëri që ishte ende duke u rimëkëmbur, ishin një fije shprese më shumë për vajzat e vogla, që duke parë ato fotografi ndoshta ëndërronin të ardhmen e tyre të bardhë, të drejtë, të lumtur, me partnerin e zemrës që kanë zgjedhur vetë dhe kurrsesi duke parë ato fotografi nuk do mendonin se pas 20 vitesh talebanët do të ktheheshin e do të shuanin ëndrrat e tyre.

    E urrej faktin që pas shumë vitesh përpjekje për liri, por dhe për të ngritur imazhin e gruas në Afganistan, tani çdo gjë është rrënuar.

    Por unë vij nga një familje e fortë, me gra të forta, që më kanë mësuar që pas çdo rrëzimi, ka një ngritje dhe që e drejta do të triumfojë. Gjithashtu duke qenë me origjinë nga Kosova, e di dhe e ndjej dhimbjen e madhe që të gjithë refugjatët janë duke kaluar tani.

    Dhe në mes të kësaj krize të madhe humanitare, do i kërkoja të gjithë të rinjve / bashkëmoshatarëve në Shqipëri, në Europë, në USA, të bëhen më të mirëkuptueshëm dhe ta kenë parasysh që ‘Asnjë njeri nuk do zgjidhte të vdiste në ajër, po mos ta dinte sesa e rrezikshme është toka në të cilën shkel’”, shkroi Beatrix Ramosaj, duke iu përgjigjur kështu pyetjeve të të gjithëve.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark