Bechev: Vuçiq s’do të japë shumë pa avancuar Asociacioni, Kurti s’është për kompromis sepse s’i beson as Serbisë e as BE-së - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Bechev: Vuçiq s’do të japë shumë pa avancuar Asociacioni, Kurti s’është për kompromis sepse s’i beson as Serbisë e as BE-së

    Insajderi
    22 July 2023 - 20:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Përshkallëzimi i përsëritur në veri të Kosovës po e shtyn Bashkimin Evropian në regjimin e menaxhimit të krizave. Në vend që të fokusohen në një zgjidhje, të dërguarit perëndimorë janë të zënë me uljen e tensioneve”, thotë për “AlJazeera Balkans” dr. Dimitar Bechev, ligjërues në Shkollën e Studimeve Globale dhe Rajonale, Universiteti i Oksfordit.

    Ai thotë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është “goxha larg”.

    Sipas tij, Aleksandar Vuçiqi nuk do të japë shumë pa avancuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ndërsa shton se as kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk është në modë kompromisi, qoftë për shkak se është ideologjik, qoftë sepse nuk i beson Serbisë dhe Bashkimit Evropian, i cili ka pesë anëtarë që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

    “Bashkimi Evropian nuk mund të tërheqë asnjë vend për anëtarësim, sepse perspektiva bëhet e pakapshme. Serbia nuk do të anëtarësohet shpejt, e lëre më Kosova”, theksoi Bechev.

    Bechev është edhe studiues vizitor në Carnegie Europe, ku ai fokusohet në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, dhe është gjithashtu autor i librave: “Turqia nën Erdoganin”, “Fjalori historik i Maqedonisë së Veriut” dhe “Fuqia Rivale: Rusia në Evropën Juglindore”, si dhe një nga redaktorët e revistës “Russia Rising: Politika e jashtme e Putinit dhe Afrika e Veriut në Lindjen e Mesme”.

    Ndër të tjera, ai thotë se ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor nuk është i papërfillshëm, pasi ka aleatë dhe shoqërues të shumtë vendas, duke iu referuar Serbisë.

    Intervista e plotë:

    AJB: Si e komentoni luftën në Ukrainë dhe sa reale është fuqia e Rusisë?

    Bechev: Ukraina po lufton për të rifituar sa më shumë territor. Kjo mund të jetë baza për bisedimet e ardhshme sepse është në interesin e Kievit që të negociojë nga një pozicion i fortë. Rusia dështoi të mposhtë Ukrainën dhe të vendosë një regjim kukull në vitin 2022. Po kështu, ajo ishte e pasuksesshme në përdorimin e ‘armëve të saj energjetike’ për të shtrembëruar duart e Evropës dhe për të detyruar qeveritë perëndimore të kërkonin një marrëveshje, duke ofruar lëshime. Perëndimi është bashkuar dhe është kundërpërgjigjur ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke përfshirë furnizimin e Ukrainës me armë. Ukrainasit bënë disa fitore territoriale vjeshtën e kaluar (në Kharkiv dhe Kherson) dhe tani po përpiqen ta dëbojnë Rusinë nga zonat në jug dhe juglindje. Megjithatë, Rusia ka fuqi të mjaftueshme për ta bërë jetën ferr për ukrainasit. Bombardimet e qyteteve të Ukrainës vazhdojnë çdo ditë. Vladimir Putin u tërhoq nga marrëveshja e grurit të vitit 2022 për t’i bërë presion Perëndimit dhe Ukrainës për lëshime të mëtejshme. Ai nuk tregon shenja të tërheqjes, pavarësisht rebelimit që grupi Wagner organizoi muajin e kaluar. Me fjalë të tjera, një luftë mund të zgjasë me vite. Ukraina do të varet nga mbështetja e Perëndimit. Pyetja kryesore është se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vitin e ardhshëm.

    AJB: Cilat janë rezultatet e samitit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) të mbajtur së fundmi?

    Bechev: Ukraina ka perspektiva për t’u bashkuar me Aleancën pas luftës. Në afat të shkurtër, ata do të ndërtojnë lidhje më të forta të mbrojtjes dhe sigurisë, për shembull, me furnizimin e armëve, shkëmbimin e inteligjencës, stërvitjen ushtarake me Aleancën. Këshilli i ri Ukrainë-NATO do të luajë një rol kyç. Gjithashtu, Kievi do të nënshkruajë marrëveshje afatgjata dypalëshe të sigurisë me anëtarët e G7, si dhe me Bashkimin Evropian, i cili tani po mbështet një skemë shumë miliarda dollarëshe për prodhimin e municioneve. Përveç kësaj, edhe Suedia do të jetë anëtare, tani që presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka sinjalizuar se vetoja e Turqisë mund të anulohet. Natyrisht, Ankaraja do të kërkojë lëshime të minutës së fundit përpara se parlamenti të mblidhet sërish në tetor. Por Suedia do të përfundojë dominimin e NATO-s në rajonin e Detit Baltik tani që Finlanda është zyrtarisht pjesë e NATO-s. Pamja e madhe strategjike është e qartë dhe përmban njëfarë ironie. Vladimir Putin thotë se ai filloi luftën për të mbajtur NATO-n jashtë. Efekti është i kundërt, Aleanca po afrohet më shumë me kufijtë rusë.

    AJB: Si e shihni trekëndëshin Rusi – Serbi – Bashkimi Evropian?

    Bechev: Serbia po balancon mes të dyjave dhe Aleksandar Vuçiqi po mundohet të marrë maksimumin. Deri më tani, politika e tij po funksionon. Serbia nuk është anashkaluar dhe nuk i nënshtrohet sanksioneve. Aleksandar Vuçiqi është çelësi për gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën. Ai mund të jetë një partner me Perëndimin në frenimin e Milorad Dodikut, presidentit të njësisë Republika Sërpska të Bosnje dhe Hercegovinës, megjithëse të dy tani janë afruar më shumë. Nga ana negative, anëtarësimi në Bashkimin Evropian po bëhet gjithnjë e më i pakapshëm për Serbinë, duke përfshirë përfitimet ekonomike që ajo ofron, si miliarda fonde. Aleksandar Vuçiqi është i kënaqur me status quo-në, por shumë serbë do të hynin në Bashkimin Evropian individualisht, me zhvendosje.

    AJB: Sa larg janë Beogradi dhe Prishtina nga normalizimi i marrëdhënieve?

    Bechev: Goxha larg. Përshkallëzimi i përsëritur në veri të Kosovës po e shtyn Bashkimin Evropian në regjimin e menaxhimit të krizave. Në vend që të fokusohen në një zgjidhje, të dërguarit perëndimorë janë të zënë me uljen e tensioneve. Aleksandar Vuçiqi nuk do të japë shumë pa avancuar Asociacioni i komunave (me shumicë, shën.red.) serbe. As kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është në modë kompromisi, qoftë për shkak se është ideologjik, qoftë sepse nuk i beson Serbisë dhe Bashkimit Evropian, i cili ka pesë anëtarë që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Bashkimi Evropian nuk mund të tërheqë asnjë vend për anëtarësim, sepse perspektiva bëhet e pakapshme. Serbia nuk do të anëtarësohet shpejt, e lëre më Kosova.

    AJB: Cili është roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor?

    Bechev: Mjaft domethënëse. Bashkimi Evropian ka një problem besueshmërie që daton që nga vitet 1990. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ende shumë peshë politike dhe diplomatike. Bëhet fjalë për rolin që luan i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në negociatat mes Serbisë dhe Kosovës së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak. Ose vërtetë rëndësia e Christopher Hill, ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi. Megjithatë, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, na ka treguar se mund të bëhet izolacionist dhe madje të luajë një rol përçarës, siç ishte rasti kur Richard Grenell ishte ndërmjetësues në mes Beogradit dhe Prishtinës. Përçarja mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të ketë pasoja shumë negative në rajon. Kjo do të dobësojë ndikimin transformues të Perëndimit dhe do të dobësojë forcat pro reformës në nivel kombëtar.

    AJB: Si i vlerësoni veprimet e Milorad Dodik, presidentit të entitetit boshnjak Republika Srpska?

    Bechev: Milorad Dodik dëshiron të qëndrojë në pushtet përgjithmonë. Ai do të përdorë kërcënimin e shkëputjes për të nxjerrë lëshime nga Perëndimi, për të mobilizuar mbështetjen në entitetin e Republikës Sërpska dhe gjetkë në rajon dhe për të zgjeruar ndikimin e tij. Manovrat e fundit rreth Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës ilustrojnë rrezikun që ajo përfaqëson. Edhe pa daljen e entitetit të Republika Sërpskas nga Bosnja dhe Hercegovina, Milorad Dodik shkatërroi institucionet qendrore shtetërore dhe bllokoi politikën e jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, për shembull për NATO-n, ose për bashkëpunimin rajonal, për shembull bllokimin e nismës së tregut të përbashkët rajonal në lidhje me lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës. Reduktimi i transfertave të parave ndaj tij është një politikë e mirë e Bashkimit Evropian. Duhet më shumë presion. Megjithatë, Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) është në koalicionin që qeveris Bosnjën dhe Hercegovinën, kështu që ka shumë ndikim.

    AJB: A e ka Bashkimi Evropian fuqinë për t’u përballur me forcat jodemokratike dhe liderët autoritarë në rajon?

    Bechev: Po, por deri në një pikë. Për shembull, sanksionet ekonomike mund të ndihmojnë. Por Bashkimi Evropian nuk mund të bëjë ndryshim nëse nuk ka presion për ndryshim brenda vendeve dhe shoqërive të tyre. Evropa është pragmatike dhe duhet të punojë me qeveritë si dhe shoqëritë për t’i bërë gjërat, duke përfshirë zbatimin e reformave ekonomike ose transformimin e sistemeve të energjisë dhe avancimin e agjendës së klimës në Ballkan. Fatkeqësisht, partneriteti i tij me qeveritë rrezikon të tjetërsojë një publik pro-evropian që kundërshton pushtetarët e ndotur nga korrupsioni.

    AJB: Cilat janë pritshmëritë tuaja kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor?

    Bechev: Nuk pres një konflikt të madh të dhunshëm në rajon, një rikthim në vitet nëntëdhjetë. Frika që arriti kulmin me pushtimin rus të Ukrainës në fillim të vitit 2022 nuk u realizua. Megjithatë, as status quo-ja nuk është optimale. Optimizmi do të ishte i parakohshëm dhe i pamatur. Autoritarizmi, nacionalizmi dhe kapja e shtetit janë të rrënjosura dhe të vështira për t’u sfiduar. Spirancat e jashtme si Bashkimi Evropian nuk mund të japin një plumb argjendi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark