×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Benefite shefash – Sami Mazreku i BKS-së ia bën një favor Blerim Camajt të ARC-së

    Insajderi
    25 March 2022 - 20:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dyshja e shefave Mazreku e Camaj publikisht njoftonin opinionin se bashkërisht po çojnë përpara procese të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Por, Gazeta Insajderi ka zbuluar se takimet zyrtare mes tyre u shfrytëzuan për shtyrjen përpara të interesave personale.

    Sami Mazreku, drejtori i Byros Kosovare të Sigurimit dhe Blerim Camaj, kryeshef i Agjencisë së Regjistrimit Civil, institucion ku që mbikëqyret nga Xhelal Sveçla, vitin e kaluar zhvilluan disa takime zyrtare.

    Nga takimet zyrtare u postuan fotografi dhe u kumtuan zotimet e tyre për një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës.

    Te dy nënshkruan një memorandum mirëkuptimi mes dy institucioneve që i udhëheqin dhe morën pjesë në takimet e grupit punues për stikersat.

    Por, në prapaskenë dyshja kishin shfrytëzuar këto takime për të shtyrë përpara interesat personale.

    Mazreku ia ka bërë një argat të mirë Camajt në janar të këtij viti, ka zbuluar Insajderi.

    Në Byronë Kosovare të Sigurimeve, institucion ky që shquhet për pagat e mira, është angazhuar së fundimi vajza e Blerim Camajt.

    Ajo është angazhuar si praktikante në departamentin e dëmeve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, konfirmon ky institucion.

    Si erdhi deri tek fillim i praktikës së vajzës së Blerim Camajt në BKS

    Blerina Camaj, vajza e Blerim Camajt, drejtorit të Drejtoratit të Gjendjes Civile u punësua si praktikante në Byronë Kosovare të Sigurimeve, përkatësisht në departamentin e dëmeve.

    Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, Byroja Kosovare e Sigurimit.

    “Po Blerina Camaj aktualisht ka statusin e praktikantes në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS)”, thuhet në përgjigjen e BKS-së dhënë Insajderit.

    Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe babai i saj, Blerimi.

    Gazeta e ka pyetur Camajn se a ka ndikuar në punësimin e vajzës së tij në BKS-së. Të njëjtit nuk i është dukur konflikt interesi angazhimi i vajzës së tij në institucionin ku ai ishte pjesë e projektit.

    “Ata i kanë procedurat e veta ajo është praktikante atje, jo nuk kam ndiku pasi ajo ka shkuar më herët në praktikë para se me nënshkruar na marrëveshjen pse ka pas mu ndikuar. Kjo dikun në muajin janar ka filluar, praktiken mundet me kry edhe në MPB. Çfarë konflikt interes duhet me pas për me punu vajza ime diku, çfarë ndikim mundet me pas”, tha Camaj për Insajderin.

    Pak muaj para se Blerina të angazhohej në BSK-së, babai i saj ishte bërë pjesë e projektit të stikerave.

    Por, kur kishte nisur ky projekt?

    Më 8 qershor 2021, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte nënshkruar marrëveshja me një kompani private për tiketa ngjitëse për automjetet të cilat regjistrohen.

    Kjo marrëveshje parashihte pagesën prej 5 eurove për stikerat që do të vendoseshin në vetura.

    Për shkak të refuzimi të qytetarëve për këtë pagesë, marrëveshja ishte pezulluar nga ministria e Mjedisit, në korrik të vitit të kaluar.

    Por, ky projekt nuk mbeti me kaq, pasi grupet punuese pjesë e së cilit ishte edhe Camaj filluar punimet në shtator të vitit 2021. Ku më pas rezultoi me një takim shpresëdhënës që u mbajt me 7 shkurt.

    Sami Mazreku, kishte mbajtur takim me zëvendësministrin e Infrastrukturës Hysen Durmishin, shefin e kabinetit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës Nexhat Miftaraj dhe Blerim Camajn, zëvendësues i drejtorit të Agjencisë së Regjistrimit Civil, ku paralajmëruan rinënshkrimin e këtij memorandumi bashkëpunimi për vendosjen e stikersave.

    Vetëm pas një muaj e gjysmë kjo marrëveshje u rinënshkruar.

    Me 14 mars u nënshkruar memorandum bashkëpunimi për implementimin e projektit për vendosjen e ngjitësve (stikersave) në xhamat e automjeteve në mes BQK-së, Ministria e Infrastrukturës, Camajt e Mazrekut.

    Ky projekt, hyri në fuqi me 15 mars të këtij viti dhe pagesën për tiketë ngjitëse të automjeteve e mori përsipër Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS).

    Angazhimi i vajzës së Camajt në BKS, nuk ishte rasti i parë. Para disa muajsh aty është punësuar edhe gruaja e Sali Zybes.

    Sofije Zyba, bashkëshortja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, vitin e kaluar ishte punësuar në Departamentin e Dëmeve në Byronë Kosovare të Sigurimeve, me një pagë mbi 1 mijë euro në muaj.

    Kush është Blerim Camaj?

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e kishte emëruar në një pozitë të lartë shtetërore nipin e Xhavit Halitit, deputetit të Partisë Demokratikë të Kosovës.

    Personi i cili është emëruar në këtë pozitë ishte Blerim Camaj, Drejtori i Drejtoratit të Gjendjes Civile, i afërt me deputetin e PDK-së, i cili tash është caktuar zëvendës i Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë e Regjistrimit Civil.

    Vendimi nga ministri i Albin Kurti është marrë më 24 maj të këtij viti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Personi të cilin e ka emëruar Sveçla ka qenë i përfshirë në Dosjen Pronto, gjë për të cilën kishte raportuar ekskluzivisht Gazeta Insajderi, më 2016.

    Hulumtim dëshmonte se si ish-deputeti Adem Grabovci dhe kryetari i panelit për vlerësimin e kandidatëve, Ilhami Gashi kishin ndikim në dallaveret me pozita të larta shtetërore.

    Gashi kishte ndikur edhe në përzgjedhjen e Camajt, të afërmit të deputetit Haliti për drejtor të Agjencisë së Regjistrimit Civil.

    Pjesa nga biseda Grabovci-Gashi për Camajn:

    Biseda tjetër ka të bëjë me Blerim Camajn. Ata flasin për një takim që do të zhvillonin me kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçin, nga i cili duhej marrë bekimin për emërimin e Camajt në pozitën e drejtorit të Agjencisë së Regjistrimit Civil, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    “Po shkojmë deri n’kryemnistri niherë”, thotë Grabovci, teksa Gashi e porosit se që ta pyet Thaçin, siç i referohet “i madhi” se çfarë të bëjë me Blerim Camajn. .

    “Edhe vete, vete pra masi po shkon te shefi për ARC çka me bo… Për, Agjensionin e Regjistrit Civil, që e kom Blerim Camaj. Çka me bo me atë ven… Intervista, intervista osht t’premten edhe vete çka po thotë i madhi”, vazhdon Ilhami Gashi.

    “Paj duhet… ti e din qysh jon rrethanat aty”, ia kthen Grabovci.

    “Ti fol me t’madhin se ky kryesus… (nuk kuptohet) drejt me ni punë bohet”, sqaron Gashi. Ai pyetet nëse mund ta mbajë Blerim Camajn në garë.

    “Po, muj aty tash… intervista o t’premten”, thotë Gashi.

    “Kshtu gabime, cilësore s’ka bo jo?”, interesohet Grabovci.

    “Cilësore s’ka ba, menaxher nuk o i aftë, po ski çka me bo burrë”, vazhdon Gashi.

    “Ëhë, ëhë… hajt se bisedoj, bisedoj, e t’tregoj kur t’shihum”, thotë Grabovci.

    Camaj ishte emëruar në këtë pozitë, ndonëse ishte i dobët sipas vlerësimit të vetë Gashit. Vazhdon ta mbajë edhe më tej, ani se ishte suspenduar me vendim të ish-ministrit, Bajram Rexhepi, për përgjegjësi në skandalin e vjedhjes së 1.4 milion eurove të pasaportave.

    “Bisedo edhe tregom edhe tash ti mos u vono qysh ki merak me ndejt me to tre sahat”, ia rikujton Gashi – Grabovcit.

    “Hajt se po pres unë pra qitu pra se ashtu, kshtu po vazhdoj me do punë”, përfundon Gashi. /GazetaInsajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark