×
  • Lajme
  • Insajderi

    Sveçla emëron në MPB të implikuarin në “Dosjen e Shefave” – koha kur Konjufca dhe Haxhiu denonconin të përfshirët në “Pronto”

    Insajderi
    28 May 2021 - 20:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka emëruar në një pozitë të lartë shtetërore nipin e Xhavit Halitit, deputetit të Partisë Demokratikë të Kosovës.

    Personi i cili është emëruar në një pozitë të re shtetërore është Blerim Camaj, Drejtori i Drejtoratit të Gjendjes Civile, i afërt me deputetin e PDK-së, i cili tash është caktuar zëvendës i Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë e Regjistrimit Civil.

    Vendimi nga ministri i Albin Kurti është marrë më 24 maj të këtij viti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Personi të cilin e ka emëruar Sveçla ka qenë i përfshirë në Dosjen Pronto, gjë për të cilën kishte raportuar Gazeta Insajderi në vitin 2016.

    Megjithatë, atë kohë, kur Gazeta Insajderi, raportoi ekskluzivisht për “Dosjen e Shefave”, ishin pikërisht anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje që dilnin çdo ditë në konferenca për media dhe denonconin të përfshirët në këtë rast.

    Njëjtë siç bënë edhe Glauk Konjufca tash kryetar i Parlamentit të vendit dhe Albulena Haxhiu, tash ministre e Drejtësisë.

    “Ne si popull dhe qytetar ishim dëshmitar të një publikimit të një sërë publikimesh tronditëse të cilat tregojnë për masat kriminale të shteti të kapur nga mafia politike në Kosovë”, thoshte Konjufca më 2 gusht të vitit 2016.

    “Skema e shtetit të kapur është kjo: Dy shtyllat e krimit të organizuar në Kosovë janë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, dora e zgjatur e tyre e cila i ekzekuton projektet e tyre është kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ai konsultohet me këta vazhdimisht dhe organizon punësimin sistematik të të gjithë militantëve partiakë nëpër agjencitë e pavarura të shtetit”, vazhdonte fjalimin e tij para gazetarëve Konjufca, shkruan Gazeta Insajderi.  

    Hulumtim dëshmonte se si ish-deputeti Adem Grabovci dhe kryetari i panelit për vlerësimin e kandidatëve, Ilhami Gashi kishin ndikim në dallaveret me pozita të larta shtetërore.

    Gashi kishte ndikuar edhe në përzgjedhjen e Camajt, të afërmit të deputetit Haliti për drejtor të Agjencisë së Regjistrimit Civil, i cili sot është caktuar zëvendës i Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë e Regjistrimit Civil./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark