×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Beogradi vazhdon t’i mbajë nën kontroll serbët në veri” – Analistët kosovarë komentojnë zgjedhjet

    Insajderi
    25 April 2023 - 09:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zgjedhjet në veri, të cilat u mbajtën ditën e diel, janë bojkotuar nga serbët lokal dhe Lista Serbe. Në zgjedhjet në katër komunat veriore kanë marrë pjesë vetëm 1567 qytetarë apo 3.47 për qind nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote. Në këto rezultate nuk përfshihen votat me kusht.

    Në një prononcim për Insajderin, analisti politik, Artan Muhaxhiri për zgjedhjet në veri ka thënë se serbët kosovarë, më shumë i besojnë Beogradit sesa Prishtinës.

    Serbët kosovarë, prapëseprapë, më shumë i besojnë Beogradit sesa Prishtinës dhe kjo situatë nuk do të ndryshohet lehtësisht. Ata nuk do t’i ndërrojnë rrënjësisht qëndrimet pa u siguruar në investimet dhe dobitë afatgjate” ka thënë Muhaxhiri për Insajderin.

    Sipas Muhaxhirit, legjitimiteti i procesit zgjedhor në veri do të definohet nga aftësia e qeverisë.

    “Legjitimiteti i këtij procesi zgjedhor do të definohet nga aftësia e Qeverisë për të ofruar siguri dhe kushte të duhura të punës për kryetarët e sapozgjedhur. Nëse ata do të bojkotohen prej popullatës, kësisoj do të përvijohet artificialiteti i tyre elektoral”, tha ai.

    Sipas tij, esenca e demokracisë përfaqësuese është pasqyrimi i vullnetit të qytetarëve në përzgjedhjen e udhëheqësve me strukturat qeverisëse.

    Përqindjet minimale të votuesve në katër komunat veriore nënkuptojnë mungesë të normalitetit politik, prandaj edhe pamundësi të ndërveprimit të çdoditshëm jetik mes institucioneve dhe qytetarëve. Ky është parakushti thelbësor i realizimit të përgjegjësive të institucioneve demokratike, pa të cilin nuk mund të sigurohet legjitimiteti i domosdoshëm parimor dhe funksional”, është shprehur Muhaxhiri.

    Tutje, Muhaxhiri ka thënë se procesi zgjedhor në veri ishte një përformancë politike, arsyet e së cilës do të shpalosen përgjatë muajve të ardhshëm.

    “U trazua inercia e deritashme. Ekzistoi një skenar i dakordësuar nga akterët kosovarë, serbë dhe ndërkombëtarë, që u realizua praktikisht dhe kryefjalë e kishte shmangien e incidenteve. Në shikim të parë, nuk është e logjikshme që në rajonin i cili e posedon potencialin më të madh për eskalim dhe destabilizim të mbahen zgjedhje të këtilla – në kundërshtim me qëndrimet e shumicës absolute të popullatës përkatëse dhe pa kurrfarë plani realist për aplikimin konkret të pushteteve lokale në të ardhmen”.

    Mes tjerash, Muhaxhiri ka thënë se kjo ngjarje mund të trajtohet si hap fillestar i transformimit dhe rolit të Listës Serbe, veçanërisht në aspektin e themelimit të Asociacionit.   

    “Në kontekstin e angazhimeve shumëdimensionale drejt arritjes së Marrëveshjes Finale, kjo ngjarje mund të trajtohet si hap fillestar i transformimit gradual të imazhit dhe rolit të Listës Serbe – veçanërisht në aspektin e themelimit të Asociacionit. Lista Serbe nuk do të mund të vazhdojë ta ketë fuqinë e jashtëzakonshme edhe pas Marrëveshjes Finale dhe krijimit të Asociacionit, prandaj një riformatim i saj do të ngjajë medoemos në të ardhmen e afërt”, tha ai.  

    Ndërsa për përfshirjen e serbëve kosovarë në sistemet institucionale Muhaxhiri.

    ri ka thënë se prej vitit 1999 nuk ka ekzistuar ndonjë strategji vizionare, vetëm ide gjysmake dhe improvizime të pamenduara mirë, të cilat me kohë janë shndërruar në formalitete të injorueshme.

    Ndërsa analisti tjetër politik, Gazmir Raci për zgjedhjet në veri ka thënë se Serbia vazhdon t’i mbajë nën kontroll serbët lokal duke i kërcënuar.

    “Serbia vazhdon të i mbaje nën kontroll serbët lokal në veri duke i kërcënuar me largim nga listat e pagave dhe ndihmave që marrin nga Serbia e po ashtu ka pasur kohe pas kohe edhe sulme të ndryshme për ti frikësuar edhe përmes dhunës” ka thënë Raci për Insajderin.

    “Radojiçiq dhe Veselinoviq janë kapot e Serbisë në atë pjesë dhe ata janë tashmë edhe në listën e zezë të SHBA-ve”, ka thënë analisti.

    Sipas Racit zgjedhjet në pjesën veriore ishin në ploteni me ligjet e Kosovës, dhe se komuniteti ndërkombëtar i dha mbështetje vendit për këto zgjedhje.

    Raci ka thënë se Serbia nuk mund ta diktojë Kosovën brenda vendit të vet.

    “Serbia nuk mund ta diktojë Kosovën se kur edhe si ajo e ushtron sovranitetin brenda vendit te vet” është shprehur ai.

    Mes tjerash ai ka thënë se Serbia me këtë proces ka marr goditje të rëndë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

    “Serbia me këtë proces ka marr goditje të rëndë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE sepse në mënyrë flagrante i ka shkelur të gjitha marrëveshjet e Brukselit. Serbia e shkeli edhe Planin Franko-Gjerman plan që tashmë quhet edhe i BE-së e qe pati mbështetje edhe amerikane”.

    Sipas Racit, parakushtet janë plotësuar për mbajtjen e zgjedhjeve në veri. /Kimete Hoti / Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark