'Beqë' fajdexhiu i Prizrenit dënohet me 4 vite burg, viktimës t'ia kthej krejt paratë që ia mori - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    ‘Beqë’ fajdexhiu i Prizrenit dënohet me 4 vite burg, viktimës t’ia kthej krejt paratë që ia mori

    Insajderi
    04 June 2025 - 17:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Beqir Hoxhës, duke e dënuar me 4 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë për  fajde. Ai obligohet t’ia paguajë të dëmtuarit F.S., shumën prej 77 mijë e 500 euro.

    Sipas aktakuzës për fajde, të dëmtuarit F.S dhe prindi i tij Sh.S duke qenë në gjendje të rëndë financiare dhe nga nevoja për investuar në biznesin familjar, kanë kërkuar të holla nga i akuzuari Hoxha dhe se në emër të fajdesë i dëmtuari F.S është detyruar t’i paguajë shumën mbi 78 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues, Alltën Murseli.

    “I pandehuri Beqir Hoxha me shënime si në shkresat e lëndës, është fajtor për shkak të veprës penale ‘Fajdeja’ nga neni 331, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha gjykatësja Murseli.

    Gjykatësja Murseli tha se në rast që i akuzuari Hoxha nuk mund të paguajë dënimin me gjobë prej 5 mijë euro, ky dënim mund t’i shndërrohet në dënim me burgim, ku për një ditë burg i llogaritet shuma prej 20 euro.

    Po ashtu, gjykatësja tha së në rast se i akuzuari Hoxha nuk mund t’ia kthejë shumën prej 77 mijë e 500 euro të dëmtuarit F.S., atëherë i konfiskohet pasuria që e ka në vlerë të barabartë me vlerën e dëmit në shumën e lartpërmendur.

    Murseli tha se të akuzuarit i kthehet telefoni i konfiskuar- iPhone 11 pro max, ndërkaq i konfiskohet shuma e parave prej 700 euro.

    Gjykatësja Murseli theksoi se i gjithë vendimi krijon obligim pasi që vendimi të bëhet i formës së prerë, duke njoftuar po ashtu se palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës pasi që vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë të pranohet me shkrim.

    Në shpallje të aktgjykimit, ishte prezente prokurorja Arjana Shajkovci, ndërkaq nuk ishte i pranishëm i akuzuari Hoxha dhe as avokati i tij Valdet Hoxha.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren më 6 nëntor 2023, pranë Gjykatës Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Beqir Hoxhës, i cili ngarkohej për veprën penale të fajdesë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark