×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    “Kena me u vra”, 200 euro kamata ditore | Dosja e madhe e “Beqës” së Prizrenit të akuzuar për fajde

    Insajderi
    10 November 2023 - 16:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Fajde me kamatë deri në 200 euro dita. Kërcënim përmes telefonit  me fjalët “kena me u vra”. 6 mijë euro borxh që u bënë në fund 78 mijë euro me fajde. Janë këto vetëm disa nga gjërat e përmendura në aktakuzën kundër Beqir Hoxhës- “Beqës”, gjykimi ndaj të cilit ka nisur në Prizren. Insajderi sjell detaje nga dosja e Prokurorisë.

    Gazeta Insajderi

    Ishte mesdita e datës 22 gusht i këtij  viti kur në një tavolinë në një punëtori në Prizren po takoheshin dy njerëz që njiheshin fare mirë mes vete. Mijëra euro para kesh do të shkëmbeheshin për më pak se 12 minuta. Njëri ishte viktimë e fajdeve, e tjetri ishte “Beqa”, tash i akuzuar për fajde.

    Takimi ishte stimulim me leje të organeve kompetente. Prokurori i shtetit, Petrit Kryeziu e ka përshkruar në detaje këtë takim në aktakuzën që ka ngritur kundër Beqir Hoxhës, shqyrtimi fillestar i së cilës tash ka nisur në Gjykatën Themelore në Prizren.

    Atë ditë, pasi që “Beqa” i pranoi paratë në një situatë ku krejt takimi po incizohej, në ora 14:12 e 27 sekonda do të përfundonte në pranga. Paratë iu kapën në xhep.

    Për disa vite radhazi, një hua –borxh, që nisi  me 6 mijë eurosh, me ndryshime të herë pas hershme të shumave do të arrinte në 78 mijë euro të kthyera nga viktima tek i akuzuari “Beqa”- krejt në emër të fajdeve.

    Fajdet varijonin nga marrëveshja në marrëveshje, duke shkuar herë në 500 euro kamatë mujore, e në raste më ekstreme edhe në 200 euro fajde në ditë.

    Dosja për “Beqën” e Prizrenit, tashmë të akuzuar për fajde është madhe. E detajuar. Me prova, dëshmi, incizime e identifikim të detajuar të pasurisë së tij. Rrëfimi i viktimës në anën tjetër është sikur nëpër filma. Në raste, sipas dëshmisë, duke rrezikuar edhe mirëqenien e familjes, apo siç thotë, duke mos blerë “harxh” për shtëpi që të i paguante kamatat e fajdeve.

    “Kena me u vra”- dëshmia e viktimës kur vendosi që të paraqitej në Prokurori

    Vetëm një ditë para se Prokurori Petrit Kryeziu të merrte vendimin për të ia vënë prangat “Beqës”, i akuzuar tash për fajde, viktima e tij, F.S. kishte shkuar në Prokurori. Kishte bërë një kallëzim penal, gojarisht, tek Prokurori.

    Ai kishte rrëfyer para Prokurorit se në vitin 2018 nga “Beqa” mori shumën prej 3000 euro, pas 2 muaj sërish 2000 euro, por në vitin 2016 babai i tij Sh. S. nga i  njëjti kishte marrë shumën prej 6000 euro.  

    “Për këtë shumë ka qenë në dijeni dhe ka qenë obligimi i tij për t’i kthyer sepse gjatë tërë kohës edhe pas vdekjes së babait të tij në vitin 2021 i kishte paguar personalisht ai. Që nga fillimi të hollat i kishin marrë me interes dhe për to kishin paguar kamata te Beqiri. Kamata për 6,000 euro, ka qenë që çdo muaj ti paguan nga 600 euro, ku vet i dëmtuari i kishte paguar këto të holla, menjëherë me rastin e dhënies së shumës prej 6,000 euro, i pandehuri i kishte ndalë 600 euro, pra babai fizikisht i kishte marrë 5,400euro, ku nga qershori i vitit 2016 deri në prill të vitit 2023 vazhdimisht ka paguar kamata prej 600 euro, për 6 vjet e 10 muaj, në total i bije që ka paguar interes 49,000 euro”, thuhet në aktakuzën kundër Beqir Hoxhës.

    Marrëveshja për ta mbyllur shumën kishte qenë kur paratë të ktheheshin tubë prej 6,000 euro.

    “Sa i përket shumës prej 5,000 euro, ka paguar kamatë mujore 10% në muaj apo 500 euro për muaj, ku të njëjtat është dashur ti paguaj deri më datën 18 të muajit dhe që nga 18.03.2018 deri më 23.01.2023, në total ka paguar shumën prej 29,000 euro kamatë”, thuhetq tutje në aktakuzë. 

    Për rastin e fajdesë sipas të viktimës, kanë njohuri familjarët e “Beës”, “përkatësisht nëna dhe bashkëshortja, shokët e tij, mund të keni edhe djemtë e Beqës, por njerëzit mund të kenë frikë të dëshmojnë për shkak të ndonjë hakmarrjeje”

    Sipas viktimës, “Beqën” familjarët e tash viktimës, e njohin, siç e përshkruan ai “si person pa gjak, e hasëm”,  sepse kanë qenë në zor nga ai, ku ia kishte maltretuar shumë babain, duke e rënduar me fjalë dhe duke i bërë presion. Sipas të njëjtit të hollat i kishin marrë me kamatë me qëllim të zhvillimit të biznesit, meqenëse bankat nuk i kishin dhënë kredi”.

    E viktima ka rrëfyer para Prokurorit se me “Beqën” ishte njohur sepse babai i tij i ndjerë e kishte pasur shok të fëmijërisë, ku kishte qenë në dijeni se ai merrej me fajde.

    “Persona tjerë në emër të Beqirit nuk kishin ardhur ti kërkonin para, gjithmonë kishte ardhur i vetëm”, rrëfen viktima.

    Nga janari i vitit 2023, sipas rrëfimit të viktimës, ai i kishte ndërprerë kamatat për 5,000 euro dhe nga prilli 2023 i kishte ndërprerë kamatat për shumën prej  6,000 euro, sepse nuk kishte arritur që t’ia dal, duke mos pasur edhe punë, andaj kishin filluar edhe presionet nga Beqir Hoxha.

    “Kanosje të drejtpërdrejta nuk kishte pasur, por përmes telefonit i kishte thënë “kena me u mbyt, kena me u vra”, ku ia kishte kërkuar fillimisht vetëm 5,000 euro të tija, ndërsa për pjesën prej 6,000 euro të babait i kishte thënë se do ta priste. Në kontaktin e datës 18.08.2023 përmes telefonit që e kishte pasur i kishte thënë se për shumën 3000 euro, kishte kamatë 500 euro në javë, ndërsa për 2000 euro, më datë 10.08.2023, i kishte vendosur kamata ditore 200 euro në ditë, ku për dy ditë ja kishte paguar nga 200 euro, ku i kishte thënë kinse shumën 3000 euro e kishte marrë nga një person tjetër, por se nuk i kishte përmendur ndonjë emër”, përshkruhet tutje denoncimi i viktimës.

    Dëshmi materiale i njëjti nuk kishte pasur, por se komunikimin e datë 18.08.2023, rreth orës 14:00 e kishte të incizuar, aty ishte biseduar në lidhje me këto kamata, ku së bashku me të dëmtuarin kishte qenë edhe punëtori i tij, T. P, sepse biseda ishte zhvilluar sa kishte qenë në zdrukthëtari, e i cili është në dijeni sepse punon tek vet i dëmtuari që rreh 5 vite.

    I gjendur para një situate të tillë i njëjti viktima edhe e ka raportuar rastin, meqenëse Beqir Hoxha sipas tij njihet si person problematik, që është marrë me rrugë të këqija.

    “Nga ky rasti i njëjti është ndier i dëmtuar, dëmi në të holla që ka pësuar është rreth 80 mijë euro dhe në rast se do t’i kompensohej dëmi nga ana e të pandehurit, i njëjti nuk kishte dashur që të dënohet”, thuhet në aktakuzë.

    Detaje nga biseda e incizuar me viktimën – “Beqa” flet për fajde si për diçka të ligjshme

    Takimi mes viktimës dhe “Beqës” ditën kur ky i fundit u arrestua është i incizuar. Për pak minuta, mijëra euro kalojnë nga dora e viktimës e në xhepin e të akuzuarit për fajde.

    Në dosje janë transkriptuar pjesët më interesante për rastin.

    “Takimi i dytë, fillon në ora 14:05min, datë 22.08.2023 ku i pandehuri takohet me të dëmtuarin në punëtorinë e tij. Ndër të tjera, i dëmtuari i drejtohet me fjalët “qe paret krejt mi kanë pru plus edhe 2 maqina i kam shite, unë i kallëzova edhe atina (dëshmitari A) qe baba jem prej 2016 pagun te baci Beqë, une vet qashtu qe 3- 4 vjet.. unë s’po du me diskutu at muhabet çka bajsh ti me ta mos me rano baci Beqë se nuk muj ma shumë”, përderisa i pandehuri i drejtohet me fjalët “jo jo çfarë të ranune ato të atina ska qare”, i dëmtuari: “s’di qe sa vjet ma q… nanen ja ti e dish ja kërkush mos e ditë dikush tjetër, ti e dish prej 2016 je kontakt me babën tem, 1 mijë, e 2 mijë, e 1 mijë e 2 mijë me kqyrë 50 – 60 mijë euro jena dëmtu edhe ai edhe une, tash s’jena tu i kqyrë ato ti mshelim muhabetet, çka bajsh e çka nuk bajsh une prej qetij momentit si ti jap paret kam qef mu kanë pastër me ty, për kësi punë s’kam qef mem thirrë kurrë””, e përshkruan Prokuroria bisedën

    Tutje, i “Beqa” i përgjigjet “na jemi që 40 vjet, ja ja ti hiç u kry ai muhabet, at 5 mishen qysh e ka marrë ai, ai e qet”, dhe në ato momente viktima i drejtohet me fjalët “me ardhë puna me shitë maqina, qe 7-8 vjet nëpër fajde, nuk du me ni ma për ta, çka bani Zoti n’qare ju qoftë”.

    Në të njëjtin takim vitima fillon numërimin e të hollave për të pandehurin duke i thënë “3,500 euro, këto janë 3 mishja plus 500 bëjnë 3,5000, tremishja u kry” i pandehuri përgjigjet “Po” edhe njëherë i numëron vet i pandehuri dhe i fut në xhepin e djathtë të pantallonave, pastaj i dëmtuari fillon numërimin e parave të pjesës tjetër duke ia numëruar 3,600 euro duke e shikuar në sy dhe duke i thënë fjalët “qeto janë 2 mishja, çdo ditë (kamata) ka 200 euro, edhe 400 euro t’i kam dhënë”, i pandehuri përgjiget “Po” dhe viktima vazhdon “ a janë 36 (3600 euro), 2 mijë, 10 ditë ka 200 euro bajn 2 mijë euro, 400 t’i kam dhënë ok”.

    Pasi i numëron edhe këto të holla “Beqa”, viktima vazhdon duke ia dhënë pjesën e tretë të hollave me fjalët: “qetu e ki 6 mishen e vjetër (6000 euro)” dhe fillon numërimin mirëpo rezulton të jenë 5.900 euro dhe i thotë “100 euro kokan mangu, një ditë tjetër t’i baj”, përderisa “Beqa” bëhet “i mirë” edhe ia falë ato 100 euro duke i thënë që “hallall i ka”….

    Më pas vazhdojnë bisedën ku i viktima i thotë të të akuzuari tash, “Beqës:, “veç t’i kemi senet e kjarta për qesi punë s’kam qef mu taku kurrë baci Beqë, prej qetij momenti unë me ty jam pastër, boll ma vet e dish 2015-2016 nana nu ka q.., zhag zhag s’un dulem s’un dulem, ai po han dhe une shit maqinat e tina, po qeshtu koka kanë e shkrume s’kam cka me ba se sa jam dëmtu une në qeto pare ban vaki 60 – 70 mijë euro, po koka kanë taksirati jem qeshtu” i ndjerë në siklet”

    “Beqa” në ato momente i nxjerr nga xhepi 200 euro dhe ia jep të viktimës.

    Më pas vazhdojnë bisedën për vlerën prej 5 mijë euro që e kishte marrë përsipër për ta paguar dëshmitari A. dhe takimin e përfundojnë në ora 14:12:27sek, me ç’rast pasi përshëndeten, i pandehuri arrestohet në flagrancë me të hollat e marra nga viktima.

    Pronë, vetura e disa raste penale me dënim veç me kusht- Kush është “Beqa” i Prizrenit?

    Prokurori që ka udhëhequr këtë rast, Petrit Kryeziu pasi kishte nisur këtë hetim kishte bërë edhe veprime që quan në identifikimin edhe të pasurisë, por edhe të kaluarës kriminale të Beqir Hoxhës, “Beqës”, i akuzuar tash për fajde.

    Ai identifikoi një pronë të paluajtshme e katër vetura. Këto i ka përmendur në kuptim të pronës që mund të konfiskohet që të dëmshpërblehet viktima në këtë rast.

    Prokurori hetoi edhe të kaluarën kriminale, dhe deh që Beqir Hoxha ka qenë së paku katër herë i dënuar.

    Ai kishte qenë i dënuar për veprën penale lëndim i lehtë truporë, lëndim i rëndë trupor, në rastin e tretë për lajmërim të rrejshëm dhe një herë për “Vepra të rënda kundër sigurisë së komunikacionit”.

    Por, hetimi zbulon se që në të gjitha këto raste Gjykata e dënoi “Beqën” veç me kusht, me ç ‘rast që të gjitha ishin fshirë në një vendim të Gjykatës më 4 janar të këtij viti.

    E, pavarësisht këtyre rasteve, për rastin e fajdeve ku viktima thuhet se u dëmtua rreth 80 mijë euro, Prokurori Peterit Kryeziu i ka dhënë Gjykatës një sërë arsyesh pse Beqir Hoxha duhet të dënohet.

    “Shkalla e lartë e dashjes nga ana e të akuzuarit në kryerjen e veprës penale; mënyra e kryerjes së veprës penale – duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike të viktimave;  rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale dhe dëmtimin e vlerës së mbrojtur;  këmbëngulësinë dhe vendosmërinë e të akuzuarit për ta përfunduar veprën penale; peshën e veprës penale për të cilën akuzohet – për të cilën ligjvënësi ka përcaktuar dënueshmëri të lartë;  motivin e kryerjes së veprës penale – pasurimi i pa bazë dhe jo proporcional me shërbimin e borxhit të dhënë”, thuhet në aktakuzë, raporton Insajderi.

    Prokurori vazhdon duke arsyetuar pse duhet të dënohet “Beqa” duke thënë që “faktin se veprat penale të fajdeve janë të shprehura në vendin tonë dhe qytetarët shpesh herë nuk marrin guximin të raportojnë se janë viktima të këtyre veprave penale – siç ka ndodhur për kohë të gjatë me viktimën e këtij rasti;  fakti se i akuzuari asnjëherë nuk ka shprehur keqardhje dhe kërkimfalje të sinqertë për të dëmtuarin; dhe e kaluara kriminale e të akuzuarit…”, thuhet në aktakuzë.

    Siç përshkruhet në aktakuzë, “nga muaji qershor 2016 deri më datë 22.08.2023, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve F. S. dhe prindit të tij Sh. S. (tani i ndjerë), në atë mënyrë që pasi të dëmtuarit ishin në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për të investuar në biznesin individual familjar – “zdrukthëtari”, fillimisht babai i të dëmtuarit, Shahadini, në muajin qershor të vitit 2016 merr nga i pandehuri Beqir Hoxha shumën e të hollave në vlerë prej 6,000 euro, ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri 600 euro i ndal në emër të kamatës mujore dhe e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 600 euro kamata mujor”, raporton Insajderi.

    Viktima nga muaji qershor 2016 deri në muajin prill 2023, në emër të shumës së marrë nga babai i tij prej 6,000 euro vazhdon të paguaj nga 600 euro kamata mujore duke i dhënë në total të pandehurit shumën prej dyzet e nëntë mijë e dyqind euro, i gjendur në gjendje të rëndë ekonomike dhe duke mos arritur t’i paguaj shumat e kamatave, i dëmtuari më 18 shkurt 2018 merr nga i pandehuri shumën e të hollave në vlerë prej 3,000 euro ndërsa në muajin mars të vitit 2018 nga i njëjti merr shumën e të hollave prej 2,000 euro, për të cilat paralajmërohet nga i pandehuri se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 500 euro kamata mujore.

    Viktima F.S. nga muaji mars 2018 deri në muajin janar 2023, në emër të shumës së marrë prej 5,000 euro vazhdon të paguaj nga 500 euro kamata mujore duke i dhënë “Beqës” shumën prej njëzetë e nëntë mijë euro, në total i dëmtuari paguan në emër të kamatave për të pandehurin shumën prej 78,200 euro.

    “..kur i dëmtuari nuk arrin t’ i paguaj kamatat, i pandehuri e paralajmëron se duhet të paguaj nga 200 (dyqind) euro kamata ditore, me ç’ rast nga i dëmtuari më datë 22.08.2023, i pandehuri merr 12,800 euro dhe arrestohet në flagrancë”, thuhet në aktakuzë./Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark