Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë se muri afër lumit Ibër i ndërtuar nga serbët është “rezultat i parë i dashurisë” mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçic.
“Pasi dështuan me të gjitha mënyrat për ndarjen e Mitrovicës, Beogradi vendosi të përdorë murin për realizimin e qëllimeve te tij. Në përputhje me këtë projekt prej disa ditësh, ultranacionalistet serbë të Beogradit, në sy të autoriteteve të Kosovës, BE, OKB dhe të mbarë botës po lartësojnë murin ndarës së Mitrovicës te Veriut, de facto të dhunimit flagrant të integritetit territorial dhe sovrantitetit te Republikës se Kosovës”, ka shkruar Berisha në llogarinë e tij në Facebook.
“Me këtë akt, Beogradi sillet si pushtues i Kosovës, destabilizues i rajonit dhe varrmihës i marrëveshjeve të Brukselit. Ky akt akuzon gjithashtu direkt Edvin Kristaq Ramën, i cili në takimet e tij të shumta me Aleksander Vuçiç duket se ka gatuar pazare të pista!”, ka shtuar Berisha.
Ai ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë dhe qytetarëve “të përdorin të gjitha mjetet kushtetuese” për mbrojtjen e integritetit territorial “dhe sovranitetit të dhunuara nga pushtuesit e djeshëm serb”./Insajderi.com