Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka mirëpritur vendimin, siç e ja quajtuar ai, dinjitoz të autoriteteve të Kosovës për ta ndalur trenin e Serbisë të mos futet në Kosovë.
Berisha nisjen e trenit e ka quajtur provokim të rrezikshëm nga Beogradi.
“Treni i Serbomadhisë, një provokacion i ulët dhe i rrezikshëm i Beogradit, u kthye nga erdhi!”, ka shkruar ai në Facebook.
“Të dashur miq, në strategjinë e rritjes së tensionit dhe destabilizimit të rajonit nga Beogradi, ashtu sikundër u paralajmërua u nis një tren i veshur me slloganet e Serbisë së madhe “Kosova është Serbi” dhe i mbushur plot me bashibuzuke serbe që kishin vendosur të marshonin në territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar më tej Berisha.
Madje për këtë nismë ai ka thënë se Serbia po synon destabilizim, duke dëshmuar se ata vazhdojnë të jenë skllav të ëndrrës për një Serbi të Madhe.
“Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë akt serbomadh primitiv të rrezikshëm dhe destabilizues të autoriteteve të Beogradit zyrtar, shtoj se, sot ata dëshmuan dhe një herë se janë skllav të ëndrrës së Serbisë së Madhe dhe një rrezik real për paqen në rajon!”, ka shkruar ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha.
“Unë gjithashtu përshëndes dhe mbështes plotësisht qëndrimin dhe vendimin dinjitoz të autoriteteve të Kosovës në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës!”, ka përfunduar Berisha./Insajderi.com