×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Besnik Bislimi: Po shkojmë drejt fazave të fundit të liberalizimit

    Insajderi
    09 March 2023 - 16:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se sot ndodhi një hap i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

    “Me votimin unanim dhe miratimin e sotëm të Këshillit të Ministrave të BE-së, për liberalizimin e vizave për Kosovën, shkojmë drejt fazave të fundit dhe përfundimit të procesit”, ka shkruar Bislimi, transmeton Gazeta Insajderi.

    Ai tutje ka treguar se cilat procedura kanë mbetur derisa liberalizimi të hyjë në fuqi.

    “Procedurat e mbetura janë miratimi nga Parlamenti Evropian, nënshkrimi dhe publikimi në gazetën zyrtare të BE-së”, ka thënë tutje Bislimi, transmeton Gazeta Insajderi.

    “Presim që këto hapa të përfundojnë zyrtarisht brenda pjesës së parë të këtij viti. Pritja e gjatë po shkon hap pas hapi drejt fundit, ku qytetarët do mund të lëvizin pa viza nga 1 janari 2024”.

    Ndryshe, procesi i liberalizimit të vizave do të shkojë edhe një herë në Komitetin e Parlamentit Europian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE).

    Kështu ka konfimruar për Gazetën Insajderi, zëdhënës i Parlamentit Europian, Ojamo Janne.

    “Këshilli ka miratuar së fundi marrëveshjen për liberalizimin e vizave dhe për shkak se ajo është një marrëveshje e leximit të dytë (qëndrimi i Parlamentit është miratuar në vitin 2019 para zgjedhjeve të mëparshme), ne kemi nevojë që të hedhim në votim prapë në LIBE për të miratuar qëndrimin e Këshillit”, ka thënë Janne për Gazetën Insajderi.

    Ai ka zbardhur edhe agjendën se si do të procedohet tutje.

    “Referimi për LIBE shpallet në seancë plenare javën e ardhshme, më 13-16 mars, ndërsa votimi i LIBE është planifikuar për 22 mars”, thotë tutje Janne në një përgjigje për Gazetën Insajderi.

    Derisa sipas Parlamentit Europian, votimi i fundit për vizat do të bëhet në seancë plenare që do të jetë në mes të datave 17 dhe 20 prill.

    Ky sqarim nga Parlemanti Europian është bërë sot pasi Këshilli i Ministrave të BE-së ka votuar pro liberalizimit të vizave për kosovarët, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, krejt në fund Akti ligjor do të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.

    …dhe pasi vendimi të publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi do të duhej të ndodh Liberalizimi i shumë pritur për kosovarët, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

    Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

    Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark