Ukë Salihi, zyrtar i Policisë së Kosovës, është ankuar në Gjykatën Kushtetuese ndaj institucionit të sigurisë, pas kontestit që ka pasur lidhur me nivelizimin e pages së tij për punët e kryera si zv. Kryesues I Komisionit të Brendshëm Disiplinor nga periudha 2010-2015. Kushtetuesja ka vendosur që ta kthejë çështjen në rygjikim.
Një gjë të tillë e ka njoftuar Gjykata Kushtetuese, duke thënë se Apeli nuk ia shqyrtoi ankesën Salihit.
“Bazuar në shkresat e lëndës, ndaj ankesës së parashtruar në Gjykatën e Apelit nga Policia e Kosovës, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur përgjigje, por në Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit ajo nuk është shqyrtuar. Për më tepër, Gjykata e Apelit i konfirmoi Gjykatës se përgjigja në padinë e parashtruesit të kërkesës ishte dorëzuar me kohë, por për shkak të gabimit teknik e ka pranuar pas nxjerrjes së vendimit të kontestuar”, thuhet në komunikatën e Kushtetueses.
Kësisoj, Salihi kishte kërkuar nga Kushtetuesja të shqyrtojë shkeljen e parimeve të të drejtave të mbrojtura.
“Parashtruesi i kërkesës kontestoi në Gjykatë Aktgjykimin e lartpërmendur të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të mbrojtura me (i) nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], (ii) nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe (iii) nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; në thelb, për shkak të: (i) mos shqyrtimit të përgjigjes së tij ndaj ankesës së palës kundërshtare dhe, si pasojë, shkeljes së parimit të “barazisë së armëve”; (ii) zbatimit të gabuar të ligjit; si dhe (iii) mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor.”, thotë komunikata.
Kushtetuesja ka gjetur se së paku dy parime, ai i “barazisë së armëve” dhe ai i “kontradiktoritetit” nuk janë përfillur nga Gjykata e Apelit, andaj ka vendosur që të njëjtës çështja t’i rikthehet në rigjykim.
“Nisur nga këto parime, Gjykata fillimisht sqaroi se, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi përgjigjen në ankesë brenda afatit ligjor dhe vlerësoi se Gjykata e Apelit, pasi nuk e ka shqyrtuar përgjigjen ndaj ankesës në Aktgjykimin [Ac. nr. 2046/17] të 9 korrikut 2020, nuk arriti të garantojë zbatimin e parimit të “barazisë së armëve” dhe parimin e “kontradiktoritetit” procedural, sepse parashtruesi i kërkesës u vu në një pozitë dukshëm më pak të favorshme në krahasim me palën e kundërt, dhe si rrjedhojë i ishte hequr mundësia për t’u përballur realisht dhe në mënyrë thelbësore me argumentet dhe pretendimet e bëra nga pala e kundërt.”, thotë komunikata.