Insajderi
Analiza

“Beteja për meditje”: Si përfundoi në FFK prokurorja që mbylli dosjen e skandaleve të Agim Ademit?

Insajderi
20 June 2026 - 19:02
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Beteja për meditje”: Si përfundoi në FFK prokurorja që mbylli dosjen e skandaleve të Agim Ademit?
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Më 22 gusht 2023, prokurorja Fitore Sadikaj mbylli hetimet ndaj kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, duke konstatuar se nuk kishte elemente të veprës penale. Gati tre vjet më vonë, Këshilli Prokurorial i Kosovës e emëroi atë në Komisionin për Akte Normative të FFK-së. Vendimi ka shkaktuar përplasje brenda sistemit prokurorial dhe ka përfunduar në gjykatë pas padisë së Kryeprokurorit të Apelit, Agron Bajrami.

Gazeta Insajderi

Dokumentet zyrtare që posedon Insajderi shpërfaqin rrugën që ndoqi Prokuroria Themelore e Prishtinës për ta mbyllur rastin ndaj kreut të FFK-së, Agim Ademi. Hetimet kishin nisur pas denoncimeve publike dhe raporteve të brendshme të ish-sekretarit Eroll Salihu, ku flitej për dyshime mbi menaxhimin financiar të federatës, keqpërdorime me bileta, kurdisje lojërash dhe punësime e largime të jashtëligjshme nga puna.

Po ashtu, në të njëjtën dosje ishin bashkuar edhe pretendimet e Arianit Ahmetit për evazion fiskal dhe mosgjirosje të TVSH-së nga ana e FFK-së.

Megjithatë, më 22 gusht 2023, prokurorja Fitore Sadikaj e mbylli këtë rast përmes një “Raporti për Mbylljen e Rastit”, duke argumentuar se:

Vepra penale e “Keqpërdorimit të pozitës zyrtare” (neni 414 i KPRK-së) kryhet vetëm kur plotësohen elementet e parapara me ligj;

Nuk ishte vërtetuar se ishte shkaktuar dëm material apo se dikush kishte përfituar kundërligjshëm;

Letra e Eroll Salihut u relativizua pasi ai kishte deklaruar në polici se pretendimet e tij i kishte bërë në rrethana tensioni dhe pakënaqësie.

Qershor 2026: Emërimi në FFK dhe përplasja brenda sistemit prokurorial

Ajo që dukej si një dosje e mbyllur e vitit 2023 është rikthyer në vëmendje me zhvillimet e qershorit 2026.

Në mbledhjen e 294-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të mbajtur më 15 qershor 2026, u aprovua kërkesa e FFK-së që prokurorja Fitore Sadikaj të emërohet anëtare e Komisionit për Akte Normative të kësaj federate. Ky pozicion shoqërohet me kompensime financiare dhe ka zbuluar interesim të madh të zyrtarëve të sistemit prokurorial për përfshirje në strukturat e futbollit kosovar.

Ky emërim ka nxitur një përplasje të hapur institucionale. Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami, i cili po ashtu kishte synuar një pozitë në komisionet e FFK-së, nuk u përzgjodh nga KPK-ja. Pas këtij vendimi, Bajrami ka dorëzuar padi ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark