×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Beteja VV-LDK në nivel institucional- Ministria e Aliut e dënon me 12 mijë euro komunën e Gazmend Muhaxherit

    Insajderi
    11 April 2024 - 16:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) në krye me Liburn Aliun ia ka shqiptuar një gjobë prej dy mijë eurove personalisht kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit të LDK’së dhe Drejtorisë për Punë Komunale dhe Shërbime Pubike të kësaj komune për degradim të Grykës së Shushicës.

    Dënimi është shpërndarë nga aktivistë të Vetëvendosjes nëpër rrjete sociale, ndërkaq postimi origjinal është shpërndarë nga këshilltari i Liburn Aliut, Jeton Raka.

    “Zero tolerancë ndaj secilit që e shkel ligjin. Dëmtimi i zonës së mbrojtur, ndotja e mjedisit, shkatërrimi i natyrës dhe pronës publike nuk është më e mundur. Në kuadër të këtyre parimeve, bazuar në nenin 56 paragrafi 2.2 dhe neni 30, paragrafi 1,3 i Ligjit Nr.05/L-087 për Kundërvajtje, kemi shqiptuar gjobën ndaj Drejtorisë për Punë Komunale dhe Shërbime Publike në Pejë, si dhe ndaj kryetarit të Pejës Gazmend Muhaxheri”, thuhet në postimin e tij.

    “Kjo gjobë është shqiptuar për shkak të shkeljes flagrante që është bërë në zonën e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, konkretisht tek Gryka e Shushicës, ku në këtë zonë Inspektoriati i Mjedisit (MMPHI), ka evidentuar ndërhyrjet ilegale në zonën e mbrojtur si gërmime të masës shkëmbore dhe dëmtim i biodiversitetit – vegjetacionit, e po ashtu kanë shkaktuar pengim normal të rrjedhës së ujit”, vijon postimi.

    Në aktvendimin e Inspektoratit të ministrisë së Mjedisit thuhet se drejtorisë për Shërbime Publike i është shqiptuar gjoba prej 10 mijë eurove, ndërkaq Muhaxherit prej dy mijë eurove.

    Sipas arsyetimit të vendimit, thuhet se kjo drejtori e Komunës së Pejës e ka kontraktuar “V – Shehu” Sh.P.K. për hapjen e trasesë për shtrirjen e gypit për furnizim me ujë të pijës pa u pajisur me leje mjedisore nga ministria.

    Në aktvendim tutje thuhet se përgjatë inspektimit të asaj zone janë evidentuar “ndërhyrje në zonën e mbrojtur si gërmime të masës shkëmbore dhe dëmtim të biodiversitetit” dhe pengim të rrjedhës normale të ujit. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark