Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, e ka vlerësuar si fyese kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për dënimin me nga 45-vite me dënim unik për ish-krerët e UÇK’së.
Tërnava me anë të një komunikate të lëshuar nga BIK thotë se një qasje e tillë është fyese për viktimat dhe heronjtë që dhanë jetën për lirinë, shkruan Insajderi.
“Kjo kërkesë është thjesht politike, me synimin e rrezikshëm për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me regjimin kriminal të Sllobodan Millosheviqit, një barazim i papranueshëm historikisht, moralisht dhe juridikisht”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
“Ne presim dhe besojmë se në fund do të triumfojë e drejta dhe se vendimi i panelit gjykues do të jetë i drejtë, i paanshëm dhe meritor, duke sjellë liri për çlirimtarët dhe duke ruajtur dinjitetin e luftës për liri”, përmbyllet komunikata.