Bashkësia Islame e Kosovës ishte munduar që t’i mbaj nën kontroll Bashkësinë e Tarikateve dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës. Por, me miratimin e Projektligjit për Liritë Fetare tashmë këto bashkësi nuk do të jenë nën mbikëqyrjen e BIK-ut, shkruan Insajderi.
Qeveria e Kosovës ka miratuar dje Projektligjit për Liritë Fetare, ku Bashkësia e Tarikateve të Kosovës dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës u është pranuar statusi i personit juridik dhe Zyra u lëshon certifikatën e regjistrimit.
Sipas, këtij projektligji Tarikatet dhe Bektashinjtë kanë të drejtë themelimin e institucioneve të ndryshme brenda tyre me karakter humanitar, fetar, edukativ, arsimor apo karakter tjetër të ngjashëm.
Po ashtu, Republika e Kosovës u njeh si përfaqësues të tyre vetëm personat e autorizuar nga bashkësitë fetare në Kosovë dhe garanton mbrojtjen e bashkësive fetare, shkruan Insajderi.
Më poshtë gjeni Nenin 4.1 të Projektligjit për Liritë Fetare
Në Republikën e Kosovës ekzistojnë shtatë (7) bashkësi fetare të cilat përbëjnë edhe trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit. Këto bashkësi janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia e Besimit Hebrej, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, Bashkësia e Tarikateve të Kosovës dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës;
4.2. Bashkësive fetare të mësipërme, u pranohet statusi i personit juridik dhe Zyra u lëshon certifikatën e regjistrimit;
4.3. Në pajtim me legjislacionin në fuqi, bashkësitë fetare ekzistuese dhe ato të reja që regjistrohen kanë statusin e personave juridik dhe kanë të drejtë themelimin e institucioneve të ndryshme brenda tyre me karakter humanitar, fetar, edukativ, arsimor apo karakter tjetër të ngjashëm;
4.4. Republika e Kosovës respekton të gjitha bashkësitë fetare, u njeh si përfaqësues të tyre vetëm personat e autorizuar nga bashkësitë fetare në Kosovë dhe garanton mbrojtjen e bashkësive fetare nga çdo person apo grup që pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, logot dhe vulën e tyre;
4.5. Lirinë për të manifestuar fenë ose besimin e kanë të gjithë individët, vetëm ose në komunitet me të tjerët, edhe në qoftë se ata nuk regjistrohen dhe nuk e marrin statusin e personit juridik.