×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Bilanci i numrave pozitë-opozitë: a do të kalojë Trusti?

    Insajderi
    25 May 2022 - 11:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    58 me 62 – ky është bilanci i numrave ndërmjet deputetëve të pushtetit dhe opozitës. A do të kalojë Trusti në Kuvend?

    Gazeta Insajderi

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere sot ta do shqyrtojë në parim Projektligjin për Trustin, nëse kjo çështje votohet nga deputetët, atëherë procesi i tërheqjes së mjeteve nga Fondi Pensional varet nga shumica e thjeshtë në Kuvend.

    Për momentin partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje i ka 58 deputetë, dhe është shprehur kundër tërheqjes së parave.

    “Asnjë nga deputetë e LVV-së nuk ka thënë që është pro. Qëndrimi zyrtar dihet”, ka thënë sot për Gazetën Insajderi, deputeti i pushtetit Enver Haliti.

    Se nuk e parakrah nismën e Kuvendit të Kosovës për tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, e kishte konfirmuar edhe Qeveria në fund të prillit.

    “Tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vet përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët. Me kursimin e pleqërisë nuk duhet abuzuar dhe veprimin e tillë, duhet konsideruar si të mangët”, thuhej në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, pas një mbledhjeje të mënyrë elektronike të mërkurën, më 21 prill, shkruan Gazeta Insajderi.

    Derisa, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lista Serbe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partitë e Komuniteteve së bashku i kanë 62 deputetë.

    Siç edhe dihet iniciativa për marrjen e të hollave nga Trusti ka nisur në mars nga Bekim Haxhiu, deputeti i PDK-së, partisë së dytë më të madhe në Kuvend. Që i bie se 19-të ligjvënësit e Memli Krasniqit do t’i çojnë duart lartë kur çështja të hidhet për votim.

    Njëjtë do të veprojnë edhe 15 deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndonëse fillimisht kanë hezituar në përkrahjen e kësaj iniciative.

    “Vlerësimi i Departamentit të Ekonomisë është që duhet të votohet pro dhe ky është qëndrimi i LDK-së”, ka thënë për Gazetën Insajderi, Shkëmb Manaj, deputeti i Lumir Abdixhikut.

    Për tërheqjen e kursimeve pensionale do të votojnë edhe dhjetë deputetët e Listës Serbe, dhe dhjetë deputetët e Komuniteteve, sipas Bekim Haxhiut, kryenismëtarit të Trustit.

    Me një qëndrim publik për marrjen e 30%-it kanë dalë edhe tetë deputetët e AAK-së, partisë që drejtohet nga Ramush Haradinaj.

    Por, mbetet të shihet kush do të jetë pro dhe kundër Trustit, kur Projektligji të del për votim në Kuvend, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, ata që kanë deri në 20 mijë euro – gjithmonë nëse tërheqja e mjeteve miratohet do të marrin 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 në mijë – 20 për qind. Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind, dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind.

    Trusti është shprehur i gatshëm për shpërndarjen e të hollave, nëse procesi merr votat e nevojshme në Kuvend.

    Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.

    Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti pati nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe ka zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.

    Sipas të dhënave të Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427 mijë e 371 kontribues./Gazeta Insajderi/

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark