Miliarderi amerikan do të përkushtohet të ndërtojë një super-anije që mund të presë deri në 100 persona. Çmimi i biletës? Rreth 200 mijë dollarë.
Ndërsa NATO ngadalëson projektet e saj hapësinore për probleme buxheti, privatët kanë filluar të programojnë udhëtime ndëryjore. Mes tyre spikat miliarderi amerikan me origjinë afrikanojugore, Emon Musk, administrator i deleguar i “Tesla Motors”, presidenti i “SolarCity” dhe bashkëthemelues i ”Paypal”.
Objektivi i miliarderit është ai për të kolonizuar Marsin dhe për të dërguar turistët e parë në planetin e kuq në bordin e një super-anije që mund të presë deri në 100 persona. Por me një kush ama. “Të parët që do të ngjiten, duhet të jenë të gatshëm të vdesin”, – ka thënë Musk.
I prezantuar gjatë një konference ndërkombëtare për shtyp të dedikuar arritjes hapësinore të organizuar në Meksikë, projekti duhet të realizohet brenda 10 vjetësh. Bëhet fjalë për një operacion kompleks, për të cilin nevojiten raketa me fuqi të dyfishtë të Saturn 5, si anije të NASA-s, e cila ka dërguar astronautët e parë në Hënë.
Udhëtimi drejt planetit të kuq, do të kërkojë 115 ditë sipas planeve të Musk; fillimisht bileta hapësinore do të kushtojë sa një apartament luksoz, rreth 200 mijë dollarë, por bëhet fjalë për një eksperiencë të rrallë. Një udhëtim hapësinor drejt Hënës.
Në të vërtetë kanë qenë rusët ata që u shprehen të gatshëm të nisin turistë drejt satelitit të vetëm të Tokës brenda vitit 2020. Dy shoqëri ruse të S.P. Korolev Rocket dhe Space Corporation Energia (Rsc) sqarojnë se për këtë qëllim do të përdoret një kapsulë e modifikuar hapësinore Soyuz.
“Jemi në fazën paraprake të projektimit të saj”, shpjegoi presidenti i njërës prej kompanive, Vladimir Solntsev, i cili në intervistën dhënë gazetës ruse “Izvestia” shpjegoi se po shqyrtohen 8 kandidatë të mundshëm për udhëtimin e parë. Mes tyre është një familje japoneze prej katër personash. “Kur të kemi një numër të mirë prenotimesh, do të nisim me fazën e vërtetë operative”, shton ai.
Mes atyre që kanë shfaqur interes për rrugëtimin e jashtëzakonshëm është dhe regjisori James Cameron. Nuk është aspak çudi që njeriu i cili i solli publikut botëror filma si Titaniku dhe Avatari të jetë ndër të parët që do të ngjiten në anijen hapësinore drejt Hënës. Sektori i udhëtimeve turistike në kozmos po merr formë gjithmonë e më shumë e koha kur hapësirën do ta vizitojnë rëndom edhe njerëzit e thjeshtë mund të jetë më e afërt nga sa mendohet.