Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, kishte shprehur gatishmërinë që t’i merrte ne ShBA 100 mijë refugjatë nga Kosova gjatë luftës së fundit. Por droja e tij më e madhe ishte se këta refugjatë nuk do të pranonin më që të ktheheshin në Kosovë pas luftës.
Bill Clinton, gjatë kohës sa ishte në Shtëpinë e Bardhë, pati biseduar edhe me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair, për atë se çfarë duhet të bëjnë në lidhje me refugjatët nga Ballkani.
Në këtë kohë lufta në Kosovë kishte shpërthyer duke detyruar shqiptarët të largoheshin nga vendi i tyre.
Në anën tjetër, në skenë doli një ushtri shqiptare që e quante veten Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe po përpiqej të çlirohej nga Jugosllavia, e cila doli të jetë e suksesshme, shkruan Townhall.
Clinton u kujdes shumë mirë që t’i përgjigjet kësaj krize, duke larguar vëmendjen nga skandali i cili u zbulua për aferën e tij seksuale me Monika Lewinsky.
Në diskutim me Blair, ai dëshironte t’i merrte refugjatët, por ishte i shqetësuar me atë se ata nuk do të donin të largoheshin nga ShBA-ja pas vendosjes së forcave paqeruajtëse të NATO-s (KFOR-it) në Kosovë.
“Unë e kuptojë problemin”, i tha Clintoni Blairit. “Nga ana tjetër, ne kemi për të bërë presion të mjaftueshëm Maqedonisë dhe Shqipërisë në mënyrë që të mos i mbyllin kufijtë. Bisedo me liderët atje. Në një anë, unë do t’i merrja 100.000 refugjatë dhe t’i vendosja në Amerikë nga nesër duke marrë rrezikun që njerëzit më nuk do të duan të kthehen në shtëpitë e tyre. Në anën tjetër, nuk e dua asnjë. Mund të ju pëlqej këtu e të mos dëshirojnë të largohen”, i kishte thënë Bill Clinton kryeministrit britanik asokohe, Tony Blair, citon Townhall.com./Insajderi.com