Insajderi
Lajme

“Bisedonin me Gjuriqin duke shkuar në hotel”, Bislimi ende bënë përpjekje për ta mohuar raportimin e gazetës zvicerane

Insajderi
07 January 2026 - 15:48
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Bisedonin me Gjuriqin duke shkuar në hotel”, Bislimi ende bënë përpjekje për ta mohuar raportimin e gazetës zvicerane
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, po vazhdon ta bishtnojë sikurse kabineti i tij raportimin e gazetës së madhe zvicerane NZZ, e cila përshkruan ecjen bashkë të përfaqësuesit të Kosovës në dialog me kryediplomatin serb, Marko Gjuriq nëpër qytetin e Solothurnit të Zvicrës drejt një hoteli “pas darkës”.

Bislimi thotë në reagimin e tij se s’ka pasur asnjëherë takime “të fshehta e sekrete” me Gjuriqin, raporton Gazeta Insajderi.

“Si Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës apo në kapacitet tjetër, asnjëherë nuk kam pasur takime “të fshehta e sekrete”, e aq më pak me personazhe si Marko Gjuriq. As gazeta serioze zvicerane NZZ nuk aludoi në shkrimin e saj që nga publikimi në asnjë moment për një takim të tillë, por ishin portalet joprofesionale dhe gazetarë joprofesionalë që raportuan rrejshëm në atë mënyrë, duke keqpërdorur artikullin nga NZZ”, thuhet në reagimin e Bislimit.

Përgjatë ditës, gazeta NZZ ka shtuar si fjali sqaruese se Bislimi e Gjuriq s’janë takuar asnjëherë ndërmjet vete. Megjithatë, fokusi kryesor i raportimit, habia e shprehur nga “ata që e njohin konfliktin” prej të folurit në të mënyrë shoqërore nga ana e Bislimit dhe Gjuriqit, ende vazhdon të jetë pjesë e raportimit.

Po ashtu, edhe pjesa ku Bislimi dhe Gjuriq kanë ecur së bashku në qytetin e Solothurnit është ende në artikull.

“Një politikan i lartë kosovar dhe një politikan serb ecën së bashku nëpër qytetin e vjetër të Solothurnit për në hotelin e tyre pas darkës. Sipas burimeve të informuara, skena u vu re në periferi të bisedimeve konfidenciale që Zvicra organizon rregullisht midis dy palëve në konflikt. Nga jashtë, mbështetësit e vijës së ashpër dominojnë në të dyja anët. Politikanët rrallë fitojnë vota me retorikë pajtuese. Por në qytetin e vogël zviceran, përfaqësuesit e të dyja palëve folën aq shoqërisht me njëri-tjetrin saqë i habiti edhe ata që ishin të njohur me konfliktin”, thuhet në raportimin e NZZ-së.

Megjithatë, pushteti në detyrë siç duket e kanë ndërruar kursin karshi kësaj çështjeje. Ndryshe nga Bislimi që po pretendon se është keqpërdorur artikulli nga NZZ-ja, të cilën e quan “gazetë serioze zvicerane”, bashkëpartiakja e tij, Mimoza Kusari, e quante lajm të rremë.

“Lajm i rremë në NZZ, lajm i rremë në disa platforma kosovare. Zelli për shpërndarjen e lajmeve të rreme mbetet i njëjtë, përkundër fakteve të qarta që e demantojnë plotësisht këtë narrativë. Kjo nuk është gazetari është papërgjegjësi”, thoshte ajo në shkrimin e saj. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark