Dimal Basha, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje që vjen nga Ferizaj, mund të dënohet për shpifje.
Kjo për një deklaratë të tij, kundër biznesmenit Mustafa Grainca.
Deputeti i Vetëvendosjes e kishte akuzuar biznesmenin për keqpërdorime dhe parregullsi në biznesin e ndërtimit në Komunën e Ferizajt.
Basha e kishte quajtur “mafi të betonit” veprimtarinë e Graincës, shkruan Gazeta Insajderi.
Pikërisht për këtë çështje, Grainca e kishte paditur Bashën, dhe ka kërkuar nga ai 65 mijë euro dëmshpërblim për shpifje.
Rasti Basha-Grainca është kthyer në rigjykim dhe do të vijojë në Gjykatën e Ferizajt, pasi Gjykata Supreme ka rrëzuar dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, duke i dhënë të drejtë paditësit, shkruan Gazeta Insajderi.
Gjykata Supreme, në një aktvendim të nxjerrë më 25 janar, rrëzoi aktgjykimet e dy shkallëve të para dhe e ktheu lëndën në rigjykim.
“Pranohet si i bazuar revizion i paditësit ,PRISHEN aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës Acnr, 444/21 i datës 10. 2021, dhe ai i Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departament Përgjithshëm, C nr 808/19, të datës 16 12 2020, dhe lënda i kthehet gjykatës së shkallës së parë në vendosje”, thuhet në aktvendimin e Supremes.
Në aktgjykimin të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, Gjykata Supreme, vlerëson se Gjykata Themelore në Ferizaj “duhet të vendosë lidhur me kërkesëpadinë e paditësit”.
“Meqenëse paditësi me datën 24.12.2020 ka paguar taksën shtesë për padi, gjykata e shkallës së parë pas administrimit të provave të propozuara dhe vlerësimit të tyre duhet të vendos lidhur me kërkesëpadinë e paditësit”, thuhet në aktgjykim.
Në një aktvendim të 10 shkurtit të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore që e cilësonte si të “tërhequr padinë e paditësit kundër të paditurit Dimal Basha”.
Sipas aktvendimit fillestar të Gjykatës Themelore, me konsiderimin e padisë si të tërhequr, deputeti Basha kishte paditur Graincën që të paguajë shpenzimet e procedurës civile.
“[…] ndërsa në pikën II e ka detyruar paditësin që të padituri t’ia paguajë shpenzimet e procedurës në shumë prej 1.558.00 Euro, brenda afatit prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktvendimit, nën kërcënim të përmbarimit”, thuhet në aktvendim.
Grainca është një afarist në fushën e ndërtimit. Ai është pronar i “IDEA Invest” Sh.P.K., e cila është themeluar më 2015. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, kompania figuron të ketë aktivitet primar ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore.
Derisa Basha, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, është duke shërbyer në legjislaturën e dytë në funksionin e ligjvënësit. Ai, është pjesë e Qendrës së LVV-së në Ferizaj./Gazeta Insajderi/