×
  • Lajme
  • Lajme

    Blakaj: Deklarata për Personat e Zhdukur nuk u referohet krimeve të luftës

    Insajderi
    04 May 2023 - 16:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se Deklarata për Personat e Zhdukur që u miratua më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, këtë herë është “më e fortë” sepse është pjesë e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit të BE-së dhe se do të ketë pasoja nëse palët nuk e respektojnë atë.

    Në tekstin e Deklaratës nuk përmendet konkretisht hapja e arkivave ushtarake apo policore, por Blakaj thotë se ekziston fjala “dokumente konfidenciale” dhe shpreh besimin se dokumente të tilla do të zgjidhin një numër të madh të rasteve të personave të zhdukur.

    Sipas tij, palët mund të përballen me sanksione nëse nuk e zbatojnë marrëveshjen.

    “Nuk besoj se palët do ta vënë kaq lehtë dokumentacionin në dispozicion, por ka ende shpresë sepse zbatimi do të mbikëqyret nga Komuniteti Evropian ose Bashkimi Evropian. Nëse vlerësojnë se palët nuk e zbatojnë marrëveshjen, mund të përballen me sanksione”, vlerëson ai në një prononcim për REL.

    Por, ai thekson se është e rëndësishme që opinioni të kuptojë se Deklarata për Personat e Zhdukur në asnjë mënyrë nuk u referohet krimeve të luftës.

    “Me këtë Deklaratë nuk mund të lidhim gjëra të tjera, si përpunimi i krimeve të luftës, reparacionet e kështu me radhë”, thotë Blakaj.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark