Ish-kandidati për deputet nga LDK-ja, Blerim Kuçi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Kuçi ka thënë se me këtë vendim, sipas tij, është dënuar jo vetëm secili individ, por edhe populli i Kosovës.
“O njerëz të Kosovës, sot u dënuam edhe të gjithë së bashku. Si popull u dënuam. ‘Në emër të popullit’ u dënua populli i Kosovës. E në emër të cilit popull u dënua populli i Kosovës, veç kjo gjykatë e di!”, ka deklaruar ai.
Kuçi ka ngritur edhe pyetjen se cilat duhet të jenë veprimet e institucioneve të Kosovës pas këtij vendimi.
“Po çka tani?”, ka shkruar ai, duke kërkuar që fillimisht t’u drejtohen institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve të popullit.
“Duhet, së pari, t’u drejtohemi institucioneve tona shtetërore, përfaqësuesve të popullit, deputetëve (ata që janë), Kuvendit”, ka thënë Kuçi.
Sipas tij, përgjegjësia për të vepruar bie mbi përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve.
“Ata janë përfaqësuesit e popullit. Ata janë të thirrur që të veprojnë, të kundërveprojnë në emër të popullit dhe ta mbrojnë popullin. Së pari, duhet t’u drejtohemi atyre. E nëse ata …!”, ka përfunduar ai.