×
  • Lajme
  • Lajme

    Bllokimi i mandarinave shqiptare që kanë pesticide të rrezikshme- A është e rrezikuar Kosova, flasin nga AUV

    Insajderi
    19 December 2024 - 10:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore (RASFF) ka ngritur alarmin për mandarinat me origjinë nga Shqipëria, pasi kanë rezultuar me mbetje të pesticideve të rrezikshme Chlorpyrifos dhe Phosmet. Këto substanca, të ndaluara për përdorim në Bashkimin Europian, paraqesin rreziqe serioze për shëndetin e njeriut.

    Gazeta Insajderi rreth kësaj çështje ka kontaktuar me Agjensinë e Ushqimit të Veterinarisë, të cilët thanë se deri tani nuk ka pasur ndonjë element dyshues.

    Por, sërish AUV-i nga mbrëmë ka ngritur masat e nivelit të kontrollit për ngarkesat me llojin e produktit mandarinë

    “AUV-i është duke e monitoruar situatën e njoftimeve të dërguara nga RASFF për vendet e tjera. Për gjetje të prezencës se pesticideve mbi nivelet e lejuara në produktin mandarina ( mandarina/ clemantina te fërkata), me orgjinë nga Shqipëria. AUV-i nga mbrëmë ka ngritur masat e nivelit të kontrollit për ngarkesat me llojin e produktit mandarinë. Të gjitha kontingjentet apo ngarkesat me ketë produkte, përveç kontrollit inspektues të detajuar, merren mostra nga secila për testim laboratorik në me qëllim testimi/përcaktimi të nivelit të mbetjeve në pesticide përfshihet (lloji parametri i dyshuar për testim ( MRL) në Chlorpyrifos dhe phosmet). Ngarkesat qëndrojnë në Pike Kontrollet Kufitare deri në rezultat te analizave laboratorike”.

    Përderisa Kosova nuk është e përfshirë në lajmërimet e RASFF, masën e vendosur e bëjmë me qellim të eliminimit të dyshimeve të ngritura. Synim kryesorë të punës tonë, qe buron edhe nga mandati ligjorë kemi mbrojtjen e shëndetit të qytetareve konsumator. Deri me tani nuk ka pasur asnjë element dyshues mbi ketë produkte. Jemi në kontakt me autoritete shqiptare në shkëmbim të informacioneve mbi secilën risi qe ndodh në gjetjet eventuale në produkte. Mbrojtja e konsumatorëve bëhet pa dallim”, thuhet në përgjigjen e AUV.

    Lidhur me këtë ka reaguar Ministria e Bujqësisë e cila sqaron se bëhet fjalë për tre ngarkesa me mandarina clementine, të eksportuara nga subjektet grumbulluese ushqimore me vendndodhje në Berat dhe Fier.

    “Njëra prej këtyre ngarkesave është dërguar nga AKU – Pika e Inspektimit Kufitar, në subjektin eksportues dhe ngarkesa është asgjësuar nga fermerët me adresë Fshati Gorican, Bashkia Dimal, Qarku Berat dhe Fshati Mursi, Bashkia Konispol, Qarku Vlorë. Pas gjurmimit dhe marrjes së informacionit shoqërues, sqarojmë se analizimi laboratorik me Nr. 24112916.001, në datën 14.11.2024 me qëllim autokontrollin nga ana e subjektit eksportues është kryer në një laborator në Bari të Italisë. Sipas raport provës produkti ka rezultuar konform në lidhje me nivelin e mbetjes së pesticideve.

    Ngarkesa tjetër gjendet aktualisht e bllokuar në subjektin grumbullues të ndodhur në Qarkun e Fierit dhe procedura e asgjësimit të produkteve do të kryhet nga ky Operator i Biznesit Ushqimor në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Tatimeve, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Autoritetin Kombëtar të Mjedisit. Kjo ngarkesë nuk është shoqëruar me një raport laboratorik, pasi nuk është detyrim ligjor për subjektet eksportuese, të cilat e kryejnë këtë proces ne kuadër të vetë kontrollit.

    Ngarkesa e tretë e njoftuar me mbetje mbi normë të Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve, ende nuk ka mbërritur në Republikën e Shqipërisë. As kjo ngarkesë nuk ka qenë e shoqëruar me një fletë analize.

    Lidhur me ngarkesën e parë të përmëndur më sipër, bëjmë me dije se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë menjëherë masa për kundravajtjet administrative në subjektin përkatës që ndodhet në Berat duke gjobitur dhe bllokuar aktivitetin e subjektit për moszbatim të legjislacionit në fuqi. Në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve po mbikqyren dhe merren masa për fermerët, të cilët kanë përdorur produkte për Mbrojtjen e Bimëve të ndaluara në Republikën e Shqipërisë.

    Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave 335, datë 6.6.2018 “Për miratimin e rregullave për regjistrimin, të procedurës dhe kritereve të vlerësimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve” Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përditëson listat e produkteve të lejuara sipas rekomandimeve të Rregulloreve të Bashkimit Europian. Ky rast, i cili është në kundërshtim me përcaktimet ligjore në fuqi, do të referohet pranë Institucioneve Ligjzbatuese”, thuhet në reagimi e Ministrisë së Bujqësisë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark