Ish-këshilltari amerikan për siguri kombëtare, John Bolton teksa ka folur për situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se kërcënimi real me të cilin po përballemi të gjithë vjen nga qeveria në Moskë.
Bolton theksoi se mosmarrëveshjet në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vihen nën kontroll në mënyrë që SHBA-ja dhe BE-ja të fokusohen në luftën në Ukrainë, përcjell Insajderi.
“Kur shikon nga jashtë duket sikur kemi humbur mundësinë që mosmarrëveshjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës t’i zgjidhim me rrugë diplomatike. Shumë njerëz janë përpjekur ta bëjnë këtë. Nuk e di çfarë i shkaktoi tensionet e fundit. Mendoj se nga perspektiva e Evropës në tërësi dhe e ShBA-ve duke e pas parasysh luftën në Ukrainë, ky nuk është një moment kur tensionet diku tjetër në kontinentin evropian apo kudo në Ballkan të lejohen”, deklaroi Bolton.
Sa i përket propozimit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama për propozimin e konferencës së nivelit të lartë në mes Kosovës dhe Serbisë, Bolton tha se sa më shumë palë të përfshihen në negociata aq më e vështirë do të jetë arritja e marrëveshjes.
Madje, eksperti i sigurisë propozoi që Kosova dhe Serbia të takohen me ndonjë ishull.
“Do të ishte më mirë që Kosova dhe Serbia të takoheshin në një ishull në detin Egje, pa shumë spekaktorë afër”, theksoi Bolton. /Insajderi.org