×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Boogeyman që po e përndjek Kryeministrin

    Insajderi
    21 May 2020 - 15:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Derisa po e shikoja me habi se si njeriu i veshur me shumë pushtet, Xhelal Sveçla, aktualisht zëvendësministër në detyrë i punëve të brendshme e sulmonte një qytetar se po qëndronte prapa protestës se myslimanëve që nuk pajtoheshin me vendimin e Bashkësisë Islame që të mos hapeshin xhamitë, më erdhi një komunikatë nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”.

    Derisa zhvillimi Xhelal Sveçla vs. Milazim Krasniqi po merrte drejtimin e pritur, një paralajmërim për padi për shpifje e një huqje  e madhe e njeriut të veshur me pushtet, me vëmendje e lexoja komunikatën Nr. 3 të GVSh-së. Pasi që ende nuk ishte publike, vendosa ta publikoja po atë ditë si mysafir në Klan Kosova.

    Një orë pasi që e dhashë lajmin për këtë komunikatë, për mua qesharake, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti me nguti doli me një publikim në llogarinë e tij në Facebook për ta denoncuar këtë si kërcenim. Madje aty futi edhe emra të gjykatësve të Gjykatës Kushtetues. Më vonë fshiu e përmirësoi disa pjesë të denoncimit të tij, një shenjë e qartë se e kisha ngutur pak si shumë Kurtin me punën e GVSh-së. Nuk i mbeti më trohë ekskluziviteti.

    GVSh-ja është një shaka. Por, se si ajo u kumtua nga Kurti është serioze. Episod tjetër i veprimit të tij nën paranojë. Paranojë ishte edhe reagimi kundër protestës me sexhade nga vartësi i tij.

    Kurti, ka një karrierë politike të veprimit nën paranojë. Prej konferencës së Rambujesë, te negociatat e Vjenës. Prej planit 6 pikësh të Ban Ki Munit, të dyshimet e shprehura se kush do ta njoh pavarësinë e Kosovës, kur ajo të shpallet. Parashikimit e tij ogurzeza rëndom kanë dalë veç frikë e motivuar nga paranoja. Këto janë raste publike, që nuk ia vlen që të renditen që të gjitha.

    Bisedat me njerëz që kanë punuar afër me të, të bëjnë të kuptosh se historitë e Kurtit me paranojën, ato që nuk janë publike, janë edhe më interesante.

    “Në një mbledhje, në fund të saj, Albini na tha që ka menduar gjatë për një zhvillim rajonal. Na tha që e ka përcjell me vëmendje se si Kroacia e Serbia po blinin armë, dhe na tha që duhet të diskutojmë se ku jemi ne në këtë plan, dhe se si duhet të veprojmë”, më pati rrëfyer një ish-bashkëpunëtor i Kurtit duke shtuar se “ne mbetëm duke e parë njëri-tjetrin, a thua e ka përnjëmend?!”.

    Por, paranojat e Kurtit janë shtuar sidomos pas votimit të tij si Kryeministër, e sidomos pas rrëzimit të tij me shumicë absolute të votave në Kuvend. “Thika mbi harta”, “plane sekrete për ndarjen e Kosovës”, “puq kundër Qeverisë së tij”, “mediat e regjimit të vjetër”, janë vetëm disa prej simptomave që e dëshmojnë këtë paranojë. Deri tash asnjëra nuk është provuar. Janë veç teori konspiracioni.

    Mel Gibson tek filmi i vitit 1997 “Conspiracy Theory” thotë që një teori e mirë e konspiracionit është ajo që kurrë nuk mund të provohet. Kjo është krejt në rregull derisa ndjekës të një teorie konspirative mbesin burra e gra që në moshën madhore ende jetojnë në ndonjë dhomë që ua kanë falur prindërit, dhe e përdorin WiFi që ua paguajnë ata. Problemi fillon aty kur teoritë e konspiracionit i bën publike njeriu më i pushtetshëm në vend, dhe aq më keq, duket që i beson pa asnjë dyshim.

    Dihet pak për jetën si fëmijë të Albin Kurtit. Në një intervistë që ai e kishte pasur në emisionin “n’Konak” tregon që ka pasur fiksime që as sot nuk i shpjegon prej nga i vinin, sikurse fiksimi i tij pas trenave. Shkon aq larg duke e shpjeguar këtë fiksim, sa që thotë që ka qenë i gatshëm edhe që të pranonte ndëshkim nga prindërit e tij, vetëm që ta përmbushte nevojën e tij për ta pritur trenin derisa ai të kalonte.

    Derisa treni ishte fiksimi i tij i fëmijërisë, njëri nga ato që e ka bërë publik, e ndoshta ka pasur edhe të tjera fiksime, fiksimi i tij tash si burrë i veshur me pushtet është Hashim Thaçi, aktualisht President i Kosovës.

    E, për Kurtin, Thaçi nuk është vetëm fiksimi i tij, është edhe Boogeymani i tij. Le të bëhen të gjithë bashkë, e ta marrin edhe Presidentin, ishte shprehur Kurti së fundi kur po fliste për zgjedhjet dhe se si do ti fitonte ato.

    Tek filmi “Sinister”, i vitit 2012, Ethan Hawke është një shkrimtar që vendoset me familje tek shtëpia ku është vrarë një familje e tërë, por mungon vetëm trupi i një fëmije  të asaj familje. Ai kishte vendosur që ta shkruante një libër për atë krim, por këshilla e Sherifit të qytetit që ditën e parë është që ajo që do të zbulosh ndonjëherë është ajo që nuk do të doje ta dije. Filmi ka shumë zhvillime, por kryesorja është që ai zbulon se prapa krimit qëndron një hyjni mitike e Lindjes së Mesme, e njohur si “Bughuul”, që pas shumë ndryshimeve në ndër kohë ka përfunduar në Boogeyman. Kjo hyjni e keqe kishte për specialitet grabitjen e fëmijëve e mund ta bënte madje edhe vetëm përmes imazheve të tij, nëse fëmijët ekspozoheshin tek to.

    Filmi përfundon në mënyrë tragjike. “Bughuul” e përfundon misionin e tij, e shkrimtari përfundon i vdekur me krejt familjen, pos vajzës së tij që “Bughuul” e merr me vete.

    Por, historitë me krijesën që rrëmben fëmijë janë diçka që shfaqen në plotë besime e mitologji. Madje edhe mitologjia shqiptare i ka disa karaktere që janë ekuivalente me “Bughuul” ose Boogeymanin. Gogoli është një prej tyre, por më specifikash përmendet Lamaja. Ajo paraqitet si një krijesë me trup gruaje e me bisht gjarpri dhe  jetonte nëpër male e ujëra të ndyta, rrëmbente fëmijë, u thithte atyre gjakun dhe pastaj u hante mishin. Shpeshherë ajo merrte forma të ndryshme për të joshur viktimat e saj.

    “Babaroka” e “Plaka e bunarit”, janë disa prej krijesave me të cilët në të kaluarën tonë të afërt janë frikësuar fëmijët e llastuar që të binin me kohë në gjumë, ose që të silleshin më mirë.

    Derisa nuk dimë shumë për fëmijërinë e Albin Kurtit, pos fiksimit pas trenave, e kemi vështirë ta dimë se prindërit e tij a e frikësonin atë me “Babarokën”, “Plakën e bunarit” a “Gogolin”. Apo i thoshin që ta marrim trenin lodër, ose nuk të lëmë më ta shikosh trenin në shina.

    Ajo që dihet për Kurtin si burrë i rritur e me pushtet është që mund ta frikësosh me Hashim Thaçin. Mund ta krijosh edhe një tjetër “Garda Vullnetare Shqiptare”, dhe mjafton ti thuhet se pas saj diçka mund të qëndrojë Thaçi, dhe kjo e ndez imagjinatën e Kurtit.

    Të mos harrojmë që Boogeyman që po e përndjek Kryeministrin Kurti, në këtë rast Presidenti Thaçi, nuk është që nuk shquhet për dinakëri. Madje edhe nofka e tij ishte “Gjarpëri”. Për më keq edhe Boogeyman i Kurtit ka pasur edhe ai Boogeyman-at e tij. Paranojat e tij.

    Edhe ai fajësoi dikur Vetëvendosjen që qëndronte e lidhur me “Syrin e Popullit”, që paska dashur që ta vriste Thaçin. “Syri i Popullit” në fund doli që ishte një imagjinatë e një njeriu zyrtarisht me probleme të rënda në shëndetin mendor që kishte manipuluar disa njerëz me vullnet të mirë e patriotik, kryesisht të varfër. Apo, siç e pata quajtur që në fillimet e hetimeve për të në dokumentarin e InDoks, historia e “Syrit të Populit” është një histori me “Patriotë të çmendur”.

    Paranojat e dy liderëve aktual të vendit nuk janë të dëmshme veç për vetën e tyre e pasuesit që u besojnë edhe kur i ndjek “Gogoli”. Dëmi është më shumë ekonomik: Cili investitor i huaj serioz do të vinte në një vend, si Kosova, ku Presidenti e Kryeministri përndiqen nga “organizata terroriste” për tu vrarë?!

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark