×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Bordi AKP-se përligj me rregullore pazaret me tokat e shtetit

    Insajderi
    23 September 2024 - 16:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nën drejtimin e njeriut të Vetëvendosjes, Mentor Hyseni, Bordi i agjencisë së privatizimeve ka miratuar ndryshime thelbësorë në rregulloren për dhënie me qira të pronave të shtetit që ka nën menaxhim. Praktikisht, ka lënë hapësirë për pazare, pa thirrje publike, vetëm me negocim direkt

    Gazeta Insajderi

    Nën drejtimin e njeriut që e lavdëroi hapur Kryeministri Albin Kurti, Mentor Hyseni si Kryetar i Bordit të Agjencisë së Privatizimeve (AKP), kanë ndodhur ndryshime thelbësore në rregullativën se si jepen pronat që kjo agjenci ka nën menaxhim.

    Në gusht të këtij viti, sipas një dokumenti që e ka siguruar Gazeta Insajderi, rregullores për dhënien me qira të pronave të shtetit i janë ndryshuar dhe shtuar disa pjesë sidomos tek negocimet direkte.

    Neni  i rregullores së miratuar mbi një vit më parë, në shtator 2023 flet në veçanti për mënyrën se si jepen me negocim direkt pronat e menaxhuara nga AKP-ja.

    “Qiradhëniet direkte mund të zbatohen në rastet si në vijim: Nëse pas shpalljes publike një herë për asetin e tenderuar nuk ka pasur ofertues, qiradhënia direkte zbatohet pas pranimit të kërkesës për qiramarrje nga ndonjë palë e interesuar; Kur paraqitet kërkesë për qiramarrje nga institucionet publike të Republikës së Kosovës, me kusht që shfrytëzimi i asetit të jetë shërbim të interesit publik të përcaktuar”, thuhet në nenin 10 të rregullores që në cdo faqe me inicialet M.H. e ka nënshkruar Mentor Hyseni.

    Por, për pazaret me tokat e shtetit duket se nuk ka mjaftuar kjo.

    Në gusht të këtij viti, në një tjetër dokument që e ka siguruar Insajderi janë bërë edhe ndryshime shtesë.

    “Kur paraqitet kërkesë për qiramarrje nga palët e interesuara, me arsyeshmëri konkrete të ndikimit në mirëqenie dhe zhvillim ekonomik e social, arsyeshmëri kjo e mbështetur formalisht nga institucionet qendrore përkatëse të vendit, respektivisht qeveria, ministritë relevante i shtohet edhe fjalia “ose komunat respektive”, thuhet në vendimin e marrë në gusht të këtij viti e që përsëri e ka nënshkruar Mentor Hyseni.

    Hyseni njofton se ky ndryshim po bëhet me kërkesë të  menaxhmentit të AKP-së dhe që kërkoi që të amandamentohet Rregullorja Nr. 07/2023 për Qiradhënien e Aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore respektivisht neni 10 që i referohet qiradhënies direkte.

    Aty bëhet me dije se AKP-ja i ka lënë edhe vetës në dorë kompetenca për të dhënë prona të shtetit pa thirrje publike.

    “…gjithashtu shtohet paragrafi i ri: neni 10.1.8 Përjashtimisht rasteve të cekura në paragrafët e mësipërme të nenit 10 të kësaj rregullore, Bordi i Agjencisë kosovare të privatizimit mund të zbatoj qiradhënien direkte edhe kur palët e treta apo individët shprehin interes me shkrim për të marr me qira asete te NSH-se, atëherë vendimi për dhënien me qira direkte për palën e tretë merret duke marr parasysh interesin më të mirë për NSH-në”.

    Ky vendim është aprovuar, sipas arsyetimit që ka dhënë  Kreu i Bordit, Mentor Hyseni, duke pasur parasysh faktin se “në vazhdën e aktiviteteve të Agjencisë-së dhe apo te Autoritetit te Likuidimit përkatës, me qëllim të ruajtjes dhe rritjes së vlerës së aseteve si dhe të hyrave për t’iu ndarë kreditorëve të NSh-ve dhe përfundimisht Buxhetit të Kosovës si përfitues i drejtpërdrejtë dhe apo jo i drejtpërdrejtë ndërmarrin veprime për qiradhënien e aseteve të caktuara 1 NSh-ve përkatëse”.

    Meqë AKP-ja, sipas Hysenit, ka pranuar kërkesa për qiramarrje nga komunat dhe organet si dhe palët që kanë shprehur interes për qiramarrje direkte me arsyeshmëri në mirëqenien dhe zhvillim ekonomik të vendit, “paraqitet nevoja e amandamentimit të nenit 10 të Rregullores Nr 07/2003 per Qiradhënien e Aseteve te NSh-ve- sikurse është përshkruar në dispozitiv të këtij vendimi”.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në AKP për të kuptuar se si erdhi deri te këto ndryshime dhe se a është në dijeni Komisioni parlamentar që mbikëqyr punën e Agjencisë së Privatizimeve, por deri tash nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

    Gazeta Insajderi ditë më parë ka raportuar edhe për dyshimet e ngritura se personi që nënshkroi këto dokumente, Mentor Hyseni, a është duke qëndruar jashtëligjshëm në krye të AKP-së pasi që ai tashmë është i dënuar nga Gjykata në Prishtinë për fshehje të pasurisë.

    Deri tash për asnjë prek këtyre raportimeve, përfshirë edhe garën e tij për Drejtor të Administratës Tatimore, i njëjti nuk ka kthyer asnjë përgjigje të Gazeta Insajderi, edhe pse e njëjta e ka kontaktuar në vazhdimësi./ Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark