×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Xhipa të zi”- Kryesuesi i AKP’së e “zhgënjen” Kurtin, punëtorë të agjencisë ankohen se po ua uzurpon parkingun me veturë zyrtare

    Insajderi
    23 May 2024 - 15:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - besnik.gashi

    Para se të vinte në pushtet, kryeministri aktual Albin Kurti, kritikonte politikanët për xhipa të zinj e vetura zyrtare. Mirëpo sot në pushtet, bashkëpartiakët e tij s’është që po veprojnë më ndryshe. Kryesuesi i bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Mentor Hyseni, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka nxjerrë një vendim që nga gushti i vitit të kaluar që i mundëson ta ketë në shfrytëzim për 24-orë veturën zyrtare të tipit ‘Peugot’. Madje, punonjës në AKP janë ankuar se ai po ua uzurpon parkingun.

    Një sinjalizues në Gazetën Insajderi është ankuar për sjelljet e drejtorit të AKP’së. Gjegjësisht, mënyrës se si, siç shprehet ai, Hyseni uzurpon parkingun e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Sipas tij, vetura vozitet edhe nga bashkëshortja e tij.

    “Mentor Hyseni e shfrytëzon veturën. Domethënë e keqpërdor pozitën me veturën e AKP-së, gjë që si takon e s’ka asnjë të drejtë. Plus, bashkëshortja e tij vjen në mëngjes e parkon veturën zyrtare në parking të AKP’së. Ky e ka marr veturën në shtëpi 24 orë më herët por edhe tash”, ka thënë ai në një ankesë që ka dorëzuar tek Insajderi.

    Për këto pretendime, Gazeta Insajderi iu është drejtuar përmes një kërkese për qasje në dokumente publike Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilët iu janë përgjigjur pozitivisht kërkesës.

    Ata kanë njoftuar se që nga gushti i vitit të kaluar, përmes një vendimi që ka kaluar nga bordi i drejtorëve të AKP’së Hysenit iu është mundësuar që një veturë zyrtare të tipit ‘Peugot’ ta ketë për 24 orë të tëra në shfrytëzim.

    “Përgjigja është po, ka leje/vendim nga Drejtori Ekzekutiv për ta përdorur 24 orë, vendimi DM 303-2023 datë 01.08.2023”, thuhet në përgjigjen e tyre për Insajderin.

    Mediumi është interesuar të dijë edhe për shpenzimet në naftë që Hyseni ia ka bërë veturës që nga koha kur e ka marrë në shfrytëzim për 24-orë. Në bazë të të dhënave që ka dhënë AKP’ja, nga gushti deri në fund të vitit 2023, Hyseni i ka harxhuar 637 euro në naftë. Ndërkaq që nga fillimi i këtij viti e deri më tash 342 euro.

    Nga AKP’ja kanë mohuar se bashkëshortja e Hysenit vozit veturën zyrtare të tij.

    “Vetura përdoret vetëm sipas procedurave ligjore të përcaktuara në Rregullorën e sipërcekur”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e AKP’së.

    Mentor Hyseni dhe afërsia e tij me VV’në

    Gazeta Insajderi raportoi në fund të shtatorit të vitit të kaluar se konkursi i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Iber-Lepenci” për pozitën e “Auditorit të brendshëm” rezultoi me punësimin e bashkëshortes së kreut të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Mentor Hysenit. Kaltrina Hyseni kishte dalë e para nga 13 kandidatë që aplikuan për këtë pozitë.

    Sipas procesverbalit të publikuar nga kjo ndërmarrje, thuhej se në testin me shkrim kishin marrë pjesë gjashtë kandidatë, ndërsa në intervistën me gojë morën pjesë vetëm tre prej tyre.

    Pas intervistës dhe testit me shkrim e para kishte dalë Kaltrina Hyseni, bashkëshortja e kryesuesit të bordit të AKP’së. Ajo mori 150 pikë, duke lënë prapa kështu dy kandidatet tjera.

    Përzgjedhjen e znj.Hyseni e kishin konfirmuar për Insajderin edhe nga ndërmarrja “Iber-Lepenc”.

    Mentor Hyseni ishte edhe kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e 2019’ës, por që nuk kishte marrë votat e mjaftueshme nga qytetarët për ta siguruar postin e deputetit.

    Ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet Mentor Hyseni para gati tri vitesh ishte emëruar në pozitën e anëtarit të Bordit të AKP-së, ndërsa me 7 qershor 2023 ishte ngritur në detyrë më vendim qeveritar.

    Ai ishte emëruar në krye të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

    Hyseni vazhdonte përkrahjen për kryeministrin Albin Kurti. Ai kishte shpërndarë në profilin e tij në Facebook një video të publikuar nga “Kingu Shqiptarisë“, ku paraqitet kreu i qeverisë. Në mbishkrim të kësaj video thuhet se “A keni besim të #Kryeministri dhe lideri i jon Albin Kurti se do të na përfaqsoj në mēnyrën më brilante dhe dinjitoze në bisedime përball vuqiqt dhe serbis ..?”.

    Në tetor të 2022’ës në pozitën e kryeshefit ekzektiv të KOSTT’it u emërua Evetar Zeqiri. I njëjti është vëllai i bashkëshortes së Mentor Hysenit.

    Mentor Hysenin kishte konfirmuar relacionin e tij familjar me Evetar Zeqirin, duke thënë se punësimi i Zeqirit nuk ka lidhje me të.

    Zeqiri ishte i punësuar edhe në qeverinë Kurti I ku përveç këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ai në qershor të vitit 2021 ishte zgjedhur edhe njëri prej anëtarëve të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike KRU “Prishtina”, bord ky i zgjedhur nga qeveria.

    Mentor Hyseni ka qenë edhe kryesues i Bordit të Ujësjellësit KRU “Prishtina”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark