×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Bordi i shkarkuar i KRU ‘Hidrogjeni jugor’ nga Qeveria Kurti thotë se një deputet iVV’së u shkaktonte presion

    Insajderi
    13 March 2024 - 15:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Bordi i shkarkuar i KRU ‘Hidrogjeni Jugor’ ka hedhur akuza në drejtim të disa zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Salih Zybës, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilët pretendojnë se u bënë presion në punën e tyre.

    Me anë të një deklarate, ata e kanë kundërshtuar arsyetimin e vetë ministres Artane Rizvanolli në mbledhjen e Qeverisë, duke thënë se bordi që e shkarkuan “devijoi planin e biznesit” dhe “moskomunikim me njësitë”, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Bazuar në raportin vjetor për vitin 2022 dhe raportin vjetor për 2023, Kompania Rajonale e Ujit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka devijuar nga caqet e përcaktuara nga Bordi i Drejtorëve në planin e biznesit. Përveç devijimeve nga plani i biznesit, gjithashtu është evidentuar edhe moskomunikimi i rregullt me njësinë për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike. Në përgjithësi, konsiderohet se bordi nuk ka arritur të sigurojë planifikim dhe mbikëqyrje rigoroze të planit dhe për këto arsye rekomandojmë shkarkimin”, deklaronte ajo.

    Për këtë, e ka mohuar kategorikisht ish-bordi i përbërë prej Feim Fetoshit, Mirlinda Morinës, Naim Kukajt, Hysni Çantës dhe Biljal Karadolamit.

    “Ky bord ka vepruar vetëm 4 muaj në vitin 2022, gjersa miratimi i raportit vjetor 2023 ka qenë i planifikuar të bëhet me datë 12.03.2024, pra ende nuk ekziston raporti vjetor 2023. Tani këtu lind pyetja, si mund të bëhet përgjegjës ky bord për vitin 2022 kur ka vepruar vetëm 4 muajt e fundit të këtij viti, si dhe si mund të thirret Ministresha në raportin e vitit 2023 kur të njëjtin ende nuk e ka në dispozicion, pasi i njëjti ende nuk ekziston, përkundër faktit se edhe kur të krijohet raporti në fjalë do të shihet se nuk ka devijime por përkundrazi shumë avancime”, thuhet në reagimin e tyre.

    “Edhe pretendimi tjetër se ka munguar komunikimi me Njësinë për Politika dhe Monitorim të ndërmarrjeve publike nuk qëndron, pasi ato kanë qenë të rregullta dhe të shpeshta, bile – bile shpesh kemi kërkuar ne, që t’i takojmë e të konsultohemi me ta, pa përfshirë këtu komunikimet e rregullta në rrugë zyrtare. Nuk ekziston as edhe një rast që mos t’i jemi përgjigjur ndonjë kërkese të tyre qoftë me shkrim apo kontakteve direkte”, vijon reagimi.

    Aty përmendet për të keq edhe emri i zëvendësministrit të Ekonomisë, Getoar Mjeku, drejtorit të Njësisë së Monitorimit të Ndërmarrjeve Publike dhe Merita Ejupit, këshilltares së Rizvanollit. Ish-bordi pretendon se kjo treshe, bashkë me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zybën, kanë ushtruar presion ndaj tyre.

    “Në fillimi kishim çudinë tonë se pse ndodhnin këto anomali dhe diskrepanca, por me kalimin e kohës u qartësua se të gjitha keqpërdorimet e ish kryeshefit Zenel Zenelaj  dhe bashkëpunëtorëve të tij kishin mbështetjen dhe përkrahjen e plotë të Zëvendësministrit Getoar Mjeku, Drejtorit Valon Perbreza, dhe këshilltares Merita Ejupi. Pastaj kuptuam se kjo treshe kishte edhe një mentor dhe koordinator nga jashtë, deputetin Salih Zyba, i cili shkoi aq larg sa e obligoi Kryesuesin që të takohej me të, ku edhe i ushtroi presion të drejtpërdrejtë deri në shantazhim që në asnjë mënyrë të mos hetohen të bëmat e njeriut të tij, kryeshefit Zenel Zenelaj”, thuhet tutje në komunikatë.

    “Na vjen keq që Ministrja Rizvanolli ra në lajthitje të personave të cekur më lartë dhe e ndali në gjysmë punën tonë të madhe në të mirë të kompanisë, dhe atë pa kurrfarë paralajmërimi apo vërejtje për punën tonë, por si gjithë opinioni edhe ne kuptuam nga mediat këtë vendim”, vijon tutje reagimi.

    Qeveria Kurti në mars të këtij viti shkarkoi Bordin e Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, që e kishte emëruar vetë në gusht të vitit 2022.

    Në po këtë mbledhje u emërua edhe Bordi i Përkohshëm i kësaj ndërmarrjeje me Ismet Vrapçani – kryesues, Dhurata Gutaj – anëtare, Taulant Tanushaj – anëtar dhe Sibel Halkoshatri – anëtare. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark