Shefi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka thënë se e mirëpret arritjen e marrëveshjes ku Kosova e Serbia e kanë njohur çështjen e personave të zhdukur si një çështje humanitare dhe kanë vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje të përbashkëta për ta lehtësuar situatën e familjeve të tyre,
Borrell tha se kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq kanë pranuar punën e rëndësishme të bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuti.
“Si shenjë e vendosmërisë së tyre të përbashkët për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve të tyre përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur, ata kanë miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur”, është shprehur Borrell.
Më tej, ai tha se Kurti e Vuçiq kanë rënë dakord për detajet operacionale në takimin e ardhshëm të nivelit të kryenegociatorëve.
Shefi i diplomacisë evropiane, tutje tha se zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur tashmë nuk është veç detyrim humanitar, por edhe mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve.
“Është bërë urgjente të sigurohet që procesi i identifikimit të varrezave të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Kujtimet po zbehen dhe individët, vendet dhe ngjarjet janë më të vështira për t’u hetuar”.
“Kjo është arsyeja pse BE-ja mirëpret miratimin e deklaratës nga palët dhe pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të Personave të Zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve. Komiteti i Përbashkët i Monitorimit i kryesuar nga BE-ja që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të Zbatimit të saj do të shqyrtojë rregullisht progresin e arritur”, është shprehur Borrell,