Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell ka takuar sot presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në takime të ndara në kuadër të Forumit të Paqes në Paris.
Qëllimi i takimeve ishte adresimi i sfidave kritike në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Diskutimet kishin në fokus ndihmën e dy palëve për të gjetur zgjidhjet e nevojshme urgjente për krizën aktuale dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në terren.
Përfaqësuesi i lartë, Borrell i shoqëruar nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, përsëriti se palët duhet të angazhohen dhe në mënyrë konstruktive të tregojnë gatishmëri për kompromis dhe të respektojnë angazhimet e tyre në dialog.
“Mjedisi aktual gjeopolitik e bën edhe më të domosdoshme për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës dhe për t’u angazhuar në negociata kuptimplotë për atë çështje që ka vërtet rëndësi për Kosovën, Serbinë, popullin e tyre dhe gjithë rajonin – e cila është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy palëve si një faktor kyç për të ecur përpara në rrugën e tyre evropiane. Serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të rifillojnë detyrat e tyre, dhe Kosova duhet t’i harmonizojë veprimet e saj, në lidhje me targat, me marrëveshjet e kaluara të dialogut dhe të nis negociatat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, pa vonesa të mëtejshme. Këto obligime, të ndërmarra në kuadër të dialogut, mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”, tha ai.
Lexo edhe:
Në të njëjtën kohë, përfaqësuesi i lartë Borrell nënvizoi rëndësinë e të përmbajturit nga çdo veprim i njëanshëm dhe retorikë nxitëse.
“Me luftën që po ndodh në Ukrainë, Evropa nuk mund të ketë një tjetër konflikt në tokën e saj. Është përgjegjësi e palëve që ta shmangin këtë për të mirën e njerëzve të tyre, të cilët do të humbasin më shumë nëse sjellja aktuale përshkallëzuese nuk ndryshon. Pamundësia për të përmbushur detyrimet dhe përshkallëzimi i shpejtë, do të kenë pasoja të dëmshme para së gjithash për njerëzit në Kosovë dhe Serbi, për të ardhmen evropiane të të dyja palëve dhe besueshmërinë e tyre në sytë e partnerëve evropianë dhe ndërkombëtarë”, tha Borrell.
Përfaqësuesi i lartë do të informojë shtetet anëtare të BE-së të hënën, në Këshillin e Punëve të Jashtme, rreth diskutimeve të tij dhe do të japë analizën e tij rreth situatës.
Lexo edhe: