×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Borxhi, Ukraina dhe Hunter Biden – Republikanët në SHBA bëhen gati për të fituar shumicën në Kongres

    Insajderi
    08 November 2022 - 17:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nëse sondazhet janë të sakta, republikanët janë duke iu afruar çastit që do të rimarrin kontrollin e të paktën një dhome të Kongresit të SHBA pas zgjedhjeve të ditës së martë, një zhvillim ky që do të kthente përsëri situatën e “qeverisjes së ndarë” në Uashington.

    Parashikimet jopartiake tregojnë se republikanët do të fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa kontrolli i Senatit, dhoma e sipërme e Kongresit, ka të ngjarë të varet nga disa gara kryesore në shtetet më të lëkundura për zgjedhjet, si Pensilvania, Xhorxhia dhe Nevada.

    Megjithëse Presidenti Joe Biden do të kishte fuqinë për të vënë veton ndaj propozimeve legjislative të një Kongresi republikan, ky ndryshim i mundshëm në kontrollin e Kongresit ngre pyetje se çfarë do të thotë një Dhomë e udhëhequr nga republikanët gjatë dy viteve të ardhshme të presidencës së Biden – dhe më tej.

    Kevin McCarthy, i cili pritet gjerësisht që të bëhet Kryetari i ardhshëm i Dhomës nëse republikanët fitojnë kontrollin e dhomës së ulët, ka lënë të kuptohet gjatë javëve të fundit për atë që mund të pritet nga një Kongres republikan.

    Tavani i borxhit do të përdoret si mjet për të negociuar

    McCarthy ka deklaruar se ai do ta përdorte kufirin e huamarrjes së qeverisë – të njohur zakonisht si “tavani i borxhit” – si një mjet për të çuar përpara prioritetet e politikave të republikanëve, duke përfshirë reduktimet e mëdha të shpenzimeve qeveritare.

    “Ju nuk mund të vazhdoni me shpenzimet duke shtuar pafund borxhin… vjen një moment kur, dakord, ne do t’ju ofrojmë më shumë para, por ju duhet të ndryshoni sjelljen tuaj aktuale,” tha McCarthy për Punchbowl News muajin e kaluar. “Ne nuk do të vazhdojmë thjesht duke shtuar limitin e kartës suaj të kreditit, apo jo? Ne duhet të ulemi seriozisht së bashku dhe të gjejmë mënyrat se si mund të reduktojmë shpenzimet e panevojshme.”

    Tavani i borxhit vendos një kufi në sasinë e parave që Thesari mund të marrë hua për të financuar shpenzimet e qeverisë. Kur tavani arrihet, ligjvënësit duhet të heqin kufirin ose do të rrezikojnë të çojnë qeverinë e SHBA në prag të falimentimit. Kjo u jep republikanëve një kartë të rëndësishme për të përparuar axhendën e tyre fiskale, e cila ka të ngjarë të përfshijë reforma për sigurimet shoqërore dhe programin e sigurimit shëndetësor, Medicare.

    Reduktimet e ndihmave për Ukrainën

    McCarthy bëri bujë në mbarë botën kur, në të njëjtën intervistë me Punchbowl News, ai sugjeroi se do të përpiqej të reduktonte ndihmat e SHBA-së për Ukrainën. Në një shembull të rrallë të bashkëpunimit mes dy partive, demokratët dhe republikanët kanë miratuar dhjetëra miliarda dollarë në ndihma për Ukrainën që nga nisja e pushtimit rus në fillim të këtij viti. Por, McCarthy la të kuptohet se republikanët mund të kenë më pak gjasa që të vazhdojnë me këtë ritëm shpenzimesh në të ardhmen.

    “Unë mendoj se njerëzit do të jenë në një recesion dhe nuk do të nënshkruajnë një çek bosh për Ukrainën. Ata thjesht nuk do ta bëjnë këtë…,” tha McCarthy. “Dhe pastaj, ka plot gjëra që administrata Biden nuk po i bën brenda vendit. Nëse nuk bëhet kufiri, njerëzit fillojnë t’i vënë gjërat në balancë. Ukraina është e rëndësishme, por në të njëjtën kohë, nuk mund të jetë angazhimi ynë i vetëm.”

    David Arakhamia, kreu i partisë së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në parlament, tha për Financial Times se ai ishte “tronditur” kur dëgjoi komentet e McCarthy, duke shtuar: “Vetëm disa javë më parë, delegacioni ynë vizitoi SHBA-në dhe pati një takim me zotin McCarthy. Ne u siguruam se mbështetja dypartiake e Ukrainës në luftën e saj me Rusinë do të mbetet një prioritet kryesor edhe nëse ata fitojnë zgjedhjet.

    Republikanët do të fillojnë me hetimet e tyre

    Nën udhëheqjen demokrate, komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve kanë nisur një sërë hetimesh, ku më i dalluari është komisioni i 6 janarit që po heton përfshirjen e Donald Trump në sulmin e vitit 2021 në Kapitol. Nëse republikanët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ai komision ka të ngjarë të shpërbëhet, ndërsa komisionet e tjera gjithashtu do të kalojnë nën drejtimin e republikanëve.

    Megjithëse do të mbahen zgjedhje brendapartiake në Capitol Hill për të vendosur lidhur me kryetarët e këtyre komisioneve, mendohet gjerësisht se kryetarët republikan të komisioneve do të nisin me komisione hetimore për gjithçka, që nga origjina e pandemisë Covid-19 dhe miratimi i Departamentit të Drejtësisë për një bastisje federale gjatë verës ndaj resortit Mar-a-Lago të Trump, e deri për marrëdhëniet e biznesit të djalit të presidentit, Hunter Biden.

    Republikanët kanë vënë në pikëpyetje nëse djali i presidentit Biden – i cili ka qenë duke u përballur hapur me varësinë nga droga dhe tani është nën një hetim federal për disa çështje të taksave dhe blerjen e armëve – ka komprometuar sigurinë kombëtare përmes marrëdhënieve të tij të biznesit në Ukrainë dhe në Kinë.

    Në të njëjtën kohë, disa ligjvënës republikanë të linjës akoma më të ashpër – veçanërisht përfaqësuesja e Gjeorgjisë, Marjorie Taylor Greene – kanë bërë thirrje për shkarkimin e Biden, të prokurorit të përgjithshëm Merrick Garland dhe të sekretarit të sigurisë së vendit, Alejandro Mayorkas.

    Kur u pyet nga CNN këtë javë nëse shkarkimi i presidentit Biden ishte një opsion, McCarthy u përgjigj: “E dini se çfarë është një opsion? Llogaridhënia”, përpara se të fillonte me një listë të hetimeve të mundshme për çështje të tilla si tërheqja e SHBA-së nga Afganistani.

    “Ne kurrë nuk do ta përdorim shkarkimin e një presidenti për qëllime politike”, shtoi ai, duke sulmuar kështu demokratët të cilët ndërmorën dy përpjekje për të shkarkuar presidentin Trump nga detyra.

    “Kjo nuk do të thotë se nëse diçka është e nevojshme, ajo nuk do të bëhet,” shtoi ai./Financial Times

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    25 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark