Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon t’i rehatojë në pushtet aktivistët dhe të angazhuarit politikë që iu kanë shërbyer sa ishin në opozitë. Edhe pse u dëshmua se ishin të dobët në zgjedhje në listat e VV’së, Kurti ka rezervuar ulëse jo pak të rëndësishme. Të njëjtit po shpërblehen me pozitën e zëvendësministrave. Emërimi i fundit si zv.ministër i Arsimit është ai i Taluant Kelmendit.
Një nga aktivistët më të hershëm, i cili llogaritet edhe bashkëthemelues i Lëvizjes Vetëvendosje është Hysen Durmishi, i cili është akomoduar si zëvendësministër tek ministria e Infrastrukturës, ku udhëheq aktivisti tjetër, Liburn Aliu.
Akomodimi i tij erdhi pasi ai dështoi të siguronte ulësen e deputetit në zgjedhjet parlamentare të 2021-ës. Durmishi ia solli VV-së veç 5 mijë e 223 vota, shkruan Gazeta Insajderi.
Shpërblim në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) mori edhe Kreshnik Ahmeti, i cili qëndronte pranë Kurtit sa herë që ai kishte takime ndërkombëtare gjatë kohës sa ishte në opozitë.
Ahmeti, siç përshkruhet në biografinë zyrtare të tij në MPJD, shërbente si koordinator i VV-së nga 2010-a. Më pas, Kurti më 2018-ën kishte vendosur që Ahmetin ta bënte Sekretar të Përgjithshëm të VV-së.
Getoar Mjeku ishte anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje më 2019-ën, pak muaj përpara se të mbaheshin zgjedhjet parlamentare. Mjeku pati dështuar të bëhej deputet, duke ia sjellë VV-së 4 mijë e 447 vota. Më pas, ai kishte vendosur që të mos marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 2021-ës.
Mjeku, pas formimit të qeverisë u shpërblye me pozitën e zëvendësministrit në Qeverinë Kurti 2 në MINT, e më pas kaloi në Ministrinë e Ekonomisë për shkak të rrotacioneve që bëri kryeministri.
Skenari i njëjtë ishte edhe për Shemsi Sylën, i cili solli vetëm 4 mijë e 317 vota më 2019-ën dhe në zgjedhjet e 2021-ës nuk mori pjesë fare. Syla më pas u akomodua në pozitën e zëvendësministrit të Mbrojtjes.
Për dallim nga Mjeku, ai është aktivist i hershëm i VV-së, i cili bashkë me aktivistë të tjerë “elektrizonte” zonën e Anamoravës përgjatë fushatave zgjedhore.
Mentor Arifaj, prurje e vonshme në VV, të cilit Kurti ia besonte pozitën e drejtorit të Postës në legjislaturën e parë të tij, në zgjedhjet e 2021-ës arriti t’i marrë veç 4 mijë e 129 vota.
Në valën fillestare të emërimeve të zëvendësministrave, u njoftua për rehatimin e Arifajt si zëvendësministër në Ministrinë e MINT-it.
Blerim Sallahu, i cili përfaqësoi Lëvizjen Vetëvendosje në rastin e votës së Etem Arifajt dhe rrëzoi Qeverinë Hoti për ta sjellë Qeverinë Kurti 2 në pushtet, u shpërblye me pozitën e zëvendësministrit të Drejtësisë.
Së fundmi, Kurti emëroi një zëvendësministër të ri në Arsim, Taulant Kelmendin. Kelmendi figuron si anëtar i kryesisë së VV-së më 2019-ën, i cili është parë duke u angazhuar për mbrojtjen e Lumbardhit ndaj hidrocentraleve.
Kelmendi më 2022-ën u zgjodh si kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvedosje në Pejë.
Kryeministri në fillim të majit e ka rehatuar në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës edhe Avni Zogianin. Zogiani në vazhdimësi ka mbrojtur VV-në nëpër debate televizive.
Ai është edhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, derisa në vitin 2017 ishte edhe kandidat për kryetar të Fushë Kosovës.
Kurti gjatë këtij viti ka emëruar dy zëvendësministra serbë, Nenad Stanojeviqin, zëvendësministër për Ekonomi, si dhe Lazar Raduloviqin, zëvendësministër për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Qeverinë e Kosovës. /Insajderi.org/