Nexhat Krasniqi, i cili pas sanksionimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) u pezullua nga pozita e udhëheqësit të divizionit të prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), është caktuar përkohësisht drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, në këtë ministri.
Vendimi është marrë ditën e djeshme nga zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm në MMPHI, Izedin Bytyqi.
“z.Nexhat Krasniqi, i pezulluar me Vendimin nr.834 të datës 03.11.2023, nga pozita Drejtor i Divizionit të Prokurimit të cilën e mban sipas Aktemërimit, caktohet përkohësisht Drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në vendim.
Insajderi ka provuar ta kontaktojë z. Bytyqin që ta komentojë vendimin, mirëpo që nuk ka qenë i qasshëm.
Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në marrje të ryshfetit.
Sipas njoftimit, atij do t’i ndalohet hyrja në SHBA.
“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftimin e DASH-it.
Po ashtu, nën sanksione janë vendosur edhe fëmijët e Krasniqit, Aulona dhe Olti Krasniqi të cilëve po ashtu nuk do t’iu lejohet hyrja në SHBA.