Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë klinikën për ndërhyrje estetike “AB Beauty” e ka gjobitur me vetëm dy mijë euro për shkelje të Ligjit për Shëndetësi.
Siç raporton Veriu.info, “AB Beauty” është gjobitur pas inspektimit të realizuar nga inspektorët shëndetësorë më 12 shkurt 2026, pasi që është konstatuar se në mënyrë të kundërligjshme ka ofruar shërbimin shëndetësor invaziv të injektimit të fillerëve dhe botox-it, pa poseduar licencë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Inspektimi është fokusuar në dëshminë e licencimit të institucionit si estetikë thelbësore duke u bazuar në kodin etik, kodin profesional dhe standardet e cilësisë për ofrimin e shërbimeve invazive me theks të veçantë filler dhe botox. Gjatë kohës së inspektimit, është konstatuar se ky subjekt shëndetësor nuk posedon licencë për ushtrimin e veprimtarive shëndetësore nga Ministria e Shëndetësisë. Në sistemin online të Divizionit të Licencimit dhe Akreditimit në MSh nuk figuron që ky subjekt ka bërë aplikimin për licencimin të veprimtarisë shëndetësore”, thuhet në arsyetimin e vendimit për gjobitjen e “AB Beauty” me thelemuese Agnesa Behluli.
Tutje, inspektorët shëndetësorë në vendim tregojnë se themeluesja Agnesa Behluli ka pohuar se shërbimet invazive i ofron vetë ajo.
“U gjetën 3 (tre) ampula botox, si dhe 1 (një) shiringë botoxi, të cilat janë konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik. U gjet një listë që përmbante evidencë për shërbime si filler, botox. U gjetën formularë të plotësuar nga klientët për aplikimin e botox-it dhe fillerëve”, thuhet në vendimin që mban datën 25 shkurt.
